Ekspozita 'Male, re dhe plisa të bardhë' çel Javën e Muzeve në Gjirokastër

Ekspozita 'Male, re dhe plisa të bardhë' çel Javën e Muzeve në Gjirokastër

10:15, 19/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në ambientet historike të Kalasë së Gjirokastrës u çel ekspozita “Male, re dhe plisa të bardhë” e piktorit Bashkim Ahmeti Izano, duke shënuar hapjen e Javës së Muzeve në qytetin e gurtë.

Ekspozita sjell për artdashësit 25 punime të realizuara në teknikë mbi kanavacë, të cilat prezantojnë ngjyrat e traditës dhe identitetin shqiptar. Pjesa më e madhe e veprave i përket viteve të fundit të krijimtarisë së autorit, ku mbizotërojnë motivet nga vendlindja dhe elementët kombëtarë.

Për piktorin Bashkim Ahmeti, zgjedhja e Gjirokastrës nuk është rastësi, pasi qyteti mbetet një hapësirë frymëzuese për artin dhe një vend ku krijimtaria vlerësohet si nga publiku vendas, ashtu edhe nga vizitorët e huaj.

Sipas piktorit, ekspozita përfshin vepra të krijuara gjatë 4–5 viteve të fundit, të përzgjedhura sipas tematikës së maleve, reve dhe plisave të bardhë.

“Shumica janë të reja të 4-5 viteve, por meqë i zgjodhëm si temë malet, retë dhe plisat e bardhë, atëherë zgjodhëm këtë koleksion që e plotëson idenë e ekspozitës. Menduam se i shkon edhe vendit ku do ta organizonim. Ekspozita do të qëndrojë e hapur rreth dy muaj e gjysmë dhe shpresoj të shikohet e të pëlqehet nga njerëzit,” u shpreh Ahmeti.

Kuratori i ekspozitës, Artan Shabani, e përshkroi ekspozitën si një përmbledhje krijimesh të 10–15 viteve të fundit, të vendosura si një tërësi artistike harmonike.

“Këtu kemi një pazëll me krijimet e tij gjatë 10–15 viteve të fundit. Mënyra si është instaluar ekspozita është si të shikosh një koncert apo një kor të tërë, një polifoni koloristike me kujtime nga vendlindja, përralla, episode dhe legjenda,” u shpreh Shabani.

Ekspozita “Male, re dhe plisa të bardhë” do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më 10 gusht.

Ndërkohë, përgjatë Javës së Muzeve në Gjirokastër po zhvillohet një program i pasur aktivitetesh për promovimin e muzeve dhe vlerave kulturore, me qëllim njohjen e historisë, traditave dhe nxitjen e turizmit në qytet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco