Është ndarë nga jeta piktori i filmit Shyqyri Sako, një prej emrave të njohur të skenografisë dhe artit filmik shqiptar.
Me një krijimtari prej afro 50 vitesh, Shyqyri Sako studioi për tre vite në Institutin e Artit VGIK në Moskë, në degën e pikturës së filmit, studime të cilat nuk arriti t’i përfundonte. Më pas u diplomua në Tiranë dhe në vitin 1963 nisi punën pranë Kinostudios, ku kontribuoi si piktor filmi në realizimin e filmit të tij të parë “Detyrë e posaçme”, për të vijuar më tej me dhjetëra produksione të tjera deri te filmi i fundit “Plumba prej plasteline” në vitin 1997, kur doli në pension.
Për kontributin e tij artistik, Sako u vlerësua me medalion në Festivalin e 4-t të Filmit Shqiptar për punën me dekoret dhe rekuizitat në filmin “Mësonjëtorja”.
Artisti la pas një trashëgimi të vyer në artin shqiptar, duke krijuar gjithashtu një pjesë të rëndësishme të koleksionit të afisheve të filmit, sot pjesë e fondit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
Në videon arkivore shfaqen pamje nga ekspozita e piktorit Shyqyri Sako në vitin 1989, si edhe dekorimi në Kinostudio me rastin e 70-vjetorit të Pavarësisë, në vitin 1982.
© SYRI.net