Einar Nelku rrëfen karrierën e babait të tij, Bexhet Nelkut - aktorit ‘gjerman’ që la gjurmë në kinematografi

Einar Nelku rrëfen karrierën e babait të tij, Bexhet Nelkut - aktorit ‘gjerman’ që la gjurmë në kinematografi

22:30, 12/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Einar Nelku, djali i aktorit të paharruar Bexhet Nelku, ka ndarë në një rrëfim të rrallë për Adi Krastën në ‘A Show’ në Syri Tv, detaje të pathëna nga jeta e shkurtër por intensive e babait të tij.

Nga kujtimet e zbehta të fëmijërisë te drama e ditëve të fundit, Einar pikturon portretin e një njeriu dhe artisti të jashtëzakonshëm, fama e të cilit i mbijetoi kohës.

I ndarë nga jeta në moshën vetëm 33-vjeçare, Bexhet Nelku la pas një djalë pesëvjeçar, i cili sot e pranon me dhimbje se ka fare pak kujtime prej tij. "Unë jam rritur te gjyshja e mamasë," rrëfen Einar, duke shpjeguar se mungesa e hapësirës i detyroi të jetonin të ndarë. Kjo mungesë ka lënë një boshllëk, një "gjë të paplotë" në jetën e tij, ndërsa informacionet për të atin i ka mbledhur kryesisht nga tregimet e të tjerëve.

Bexhet Nelku, me origjinë nga Golloborda e Dibrës, ishte një figurë e veçantë në kinematografinë shqiptare. I krahasuar me aktorë të kalibrit ndërkombëtar si Jean-Louis Trintignant për intensitetin e tij të brendshëm dhe aktrimin ekspresiv pa pasur nevojë të ngrinte zërin, ai la gjurmë të pashlyeshme.

Mes të tjerash, i biri, Einar, rrëfen se ai ishte i ndërgjegjshëm për talentin e tij dhe "e dinte vlerën e vetes".

Dhe kjo, theksoi Einari, vërehet në rolet e tij ikonike, si partizani me dyshime në "I teti në bronz" apo portretizimi i paharrueshëm i oficerit gjerman te "Kur zbardhi një ditë". Pikërisht ky rol do të ishte edhe i fundit dhe më tragjiku.

Einar zbulon se gjatë xhirimeve, babai i tij ishte tashmë i sëmurë rëndë. Ai e vuajti sëmundjen në heshtje, duke bërë që kolegët ta keqkuptonin natyrën e tij të tërhequr si mendjemadhësi. Sëmundja u përkeqësua aq shpejt sa ai nuk arriti dot të dublonte rolin e tij, një detyrë që më pas iu besua mjeshtrit Reshat Arbana. "Brenda dy muajve u sëmur," tregon Einar, duke përshkruar fundin tragjik të një karriere në kulmin e saj.

Megjithatë, trashëgimia e Bexhet Nelkut mbetet e gjallë, duke bërë jehonë edhe sot.

Sipas djalit të tij, edhe brezat e rinj e identifikojnë menjëherë kur përmendet roli i oficerit gjerman. "Të gjithëve u ka lënë mbresa," thotë ai, duke dëshmuar për fuqinë e një talenti që nuk njeh kohë dhe që mbetet një nga portretizimet më të shkëlqyera të kinematografisë sonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco