Artisti dhe piktori i njohur Artan Shabani, i ftuar në emisionin ‘A Show’ në Syri Tv, nën moderimin e Adi Krastës, ka bërë një udhëtim pas në kohë përmes fotografive të vjetra, duke zbuluar detaje nga fëmijëria, marrëdhëniet e veçanta familjare dhe reflektimet mbi ndryshimet mes brezave.
I njohur për elegancën dhe stilin e tij të kuruar, Shabani ia atribuoi meritën bashkëshortes së tij, Dona Luçi, duke e quajtur atë “kuratorja e imazhit të familjes”.
Zemra e rrëfimit ishte nostalgjia për figurat e dajallarëve, të cilët ai i cilësoi si një “institucion” në jetën e tij. Për Shabanin, vizitat në Elbasan te gjyshërit dhe katër dajallarët ishin periudha të mbushura me afeksion të pastër.
“Unë aty kisha këtë urinë për dashuri, për pjesën afektive që ma jepnin të gjithë,” u shpreh ai, duke i përshkruar ato si “kohë të pastra” që, ndonëse të fiksuara në bardh e zi, mbartin “shumë kolorit” në kujtesën e tij.
Artisti foli me pasion për lidhjen e tij me Elbasanin, duke vlerësuar historinë, kulturën dhe arkitekturën e tij unike, një përzierje e Lindjes dhe Perëndimit. Ai shpjegoi se si rrugicat dhe aromat e qytetit të vjetër i ushqyen kureshtjen artistike që në fëmijëri.
Një foto e paraqitur në sfondin e bashkëbisedimit me moderatorin Krasta, për artistin Shabani, shërbeu si një pikënisje për të reflektuar mbi modën e kohës, ku detaje si çorapet e bardha u komentuan me humor, por edhe mbi sfondin që mbetej i pandryshuar: Sheshi i Flamurit në Vlorë. “Duket si një mallkim,” thanë njëzëri Shabani dhe Krasta, duke komentuar gjendjen e papërfunduar të sheshit qendror të qytetit.
Nuk kishte si të mos mungonte biseda për hendekun mes brezave. Shabani shprehu shqetësimin për “huajëzimin” dhe sfidën e komunikimit me të rinjtë e rritur në epokën digjitale. Sipas tij, brezi i tij, i cili për të rinjtë mund të duket “mesjetar”, ka për detyrë të luftojë kundër këtij tjetërsimi dhe të ruajë dimensionin njerëzor në marrëdhënie.
Këto komplimente do t’ia transferoja Dona Luçisë, që është bashkëshortja ime. Është ajo pjesë kuratorje, të themi, kuratorja e imazhit të familjes. Me ndihmën dhe të Kleonit, që e ka këtë dellin e artistit, që është djali im i vogël. Dhe na kanë disiplinuar, të themi te ky estetizim i imazhit, që ne nuk mund ta devijojmë.
Unë kam katër daje, meqenëse filluam nga familja e nënës dhe këtu kemi diçka të përbashkët të dy ne, në pre-adoleshencën tonë, sepse unë kur vija në Elbasan, pra gjyshja dhe gjyshi, pra nga ana e nënës jetonin në Elbasan. Dhe katër dajët e mi në Elbasan dhe magnetizonin gjithë interesin tim, gjithë pjesën time afektive të një fëmije që, pra unë aty kisha këtë urinë për dashuri, për pjesën afektive që ma jepnin të gjithë. Në atë kohë kanë qenë pothuajse të gjithë singëll, kështu që duhet të mund edhe të merreshin me mua. Duhet të kenë qenë kohë të bukura ato, kohë të pastra, sepse në këto foto bardh e zi ka shumë kolorit në kujtesën tonë.
Unë jam rritur në Vlorë. Por gjithmonë kur shkon te gjyshja në Elbasan, te gjyshi, te dajot, sepse unë ngjasoj nga daja. Elbasani është një qytet për ata që njohin gjithë antropologjinë kulturore të një qyteti, është ajo lagja e Kalasë që ka një miks, një velaturë shumë interesante, historike, dhe kulturore sigurisht, po dhe në arkitekturën e vet. Pra kjo pjesa orientale, pjesa ortodokse dhe unë kërkoja gjithmonë atë që nuk duket. Sepse është gjithmonë pak i fshehur. Ka këtë pjesën diskrete.
Dhe kur fillova të punoja me akuarelet e mia, futesha nëpër këto rrugicat, pra ndjen dhe aromën e asaj që italianët thonë “il bucato”, këto çarçafët e larë, pra e ndjen aromën sepse çdo vend ka atë metabolizmin e vet. Kështu që kjo fotokopjohet në kujtesën e çdo fëmije. Sepse fëmijëria është e rëndësishme. Prandaj unë aty gjeja dhe i gjej akoma ngjyrat. Për fatin e keq, daja ka ndërruar jetë para pak muajsh, ka qenë një personazh shumë simpatik, shumë i dashur, vuajti në muajt dhe në vitet e fundit, por që la trashëgimtarë dhe unë shpresoj që ata trashëgimtarë t'i ngjajnë në shpirtin që e kishte gjithë dritë.
Shoqëria e periudhës së liceut... Frekuentohemi, takohemi gjithmonë. Altin Llaçaj është një kitarist, një artist i jashtëzakonshëm që njihet në gjithë skenën e artit shqiptar sot. Në mes jam unë, me cigaren sigurisht është ajo pjesa që kërkon të konfirmosh autoritetin e moshës, pra ti do të burrërohesh para kohe. Po është brezi jonë. Neritani që është një mik i jashtëzakonshëm, ka jetuar në Toskana, në Firence, pastaj transferohet në kërkim të lirisë, e gjeti në ishullin e Korfuzit dhe jeton me bashkëshorten dhe me djalin e tij.
Simbol. E thamë në të njëjtën kohë. Unë në italisht, ti në shqip. Pra duket si një mallkim. Jo, ne nuk rrezikojmë. Ne për ata jemi nga mesjeta. Ne jemi mesjetarë, ne nuk dimë asgjë, nuk dimë asgjë absolutisht. Thjesht jemi të bezdisur. Por jemi human, ne duam të heqim pjesën e alienacionit, pra atë alienimit në jetën e fëmijëve tanë, të brezave të rinj. Të së keqes.
© SYRI.net