SYRI TV/ ‘Shumë pak vrasës’, një histori misterioze-Kostani: Jemi vrasës edhe në përditshmëri

21:31, 11/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një vrasje e dyshimtë në një sallon bukurie kthehet në boshtin e një komedie interaktive, ku publiku bashkë me aktorët rindërton ngjarjen mes humorit dhe tensionit skenik. “Shumë pak vrasës” e ngjitur në skenën e Teatri Kombëtar Eksperimental e përdor të qeshurën për të ngritur pyetje të mprehta mbi hipokrizinë, fajin dhe përgjegjësinë në shoqërinë e sotme.

Syri TV

Komedia “Shumë pak vrasës” sjell një histori misterioze që nis brenda një salloni bukurie, aty ku thashethemet, dyshimet dhe situatat komike ndërthuren në mënyrë të papritur. Një kat më sipër jeton Izabela, një pianiste e njohur e kohës, e cila luan pothuajse çdo orë të ditës dhe bëhet objekt diskutimi për personazhet në sallon. Por qetësia prishet kur pronari i sallonit shfaqet i irrituar nga zhurma dhe një nga klientet shpall lajmin tronditës, Izabela ka vdekur. Nën praninë e hetuesit, ngjarja merr trajta njëkohësisht misterioze dhe gazmore, ndërsa rindërtimi i krimit zhvillohet përmes dëshmive të personazheve dhe vetë publikut në sallë. Regjisorja Rozi Kostani zbërthen dinamikën e shfaqjes dhe thelbin filozofik që fshihet pas komedisë.

Në qendër janë personazhe të forta tipologjikisht, hetuesi fjalëprerë, i luajtur nga Marin Orhanasi, që komunikon vazhdimisht me sallën, mbledhësi i antikuarëve, figurë enigmatike e interpretuar nga Ervin Bejleri,  Sofia, vajza lozonjare dhe tekanjoze me sekrete të fshehura, e sjell nga Fabiana Proi. Aktorët flasin për sfidën e komunikimit të drejtpërdrejtë me spektatorin dhe për shpirtëzimin e roleve në këtë formë të re skenike.

Nëpër labirintet e kërkimit të së vërtetës, “Shumë pak vrasës” shpalos një ide provokuese se ndonjëherë të gjithë bëhemi fajtorë përmes veprimeve apo indiferencës sonë. Një shfaqje që zgjon reflektim duke përdorur humorin për të nxjerrë në pah anën njerëzore që shpesh humbet në realitetin e sotëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco