“Ku ka si Tirana” sjell në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, mbrëmjen e 19 dhe 20 janarit, një koncert artistik për kryeqytetin përmes këngëve, valleve dhe ritualeve tradicionale që pasqyrojnë shpirtin dhe trashëgiminë e tij kulturore.
“Ku ka si Tirana” është shfaqja me të cilën Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore do të çelë një mbrëmje festive në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, duke sjellë në skenë identitetin, shpirtin dhe trashëgiminë e kryeqytetit. Një udhëtim artistik i ndërtuar përmes këngëve, valleve dhe ritualeve tradicionale që rrëfejnë historinë kulturore të Tiranës si një qytet mikpritës.
Shfaqja shënon edhe nisjen e një cikli projektesh artistike për vitin 2026, që do të udhëtojnë në qytete të ndryshme shqiptare, duke kthyer traditën në një gjuhë të përbashkët skenike.
Në skenë do të ngjiten edhe artistë të ftuar, duke pasqyruar vetë shpirtin e Tiranës si një qytet që ka ditur të bashkojë zëra dhe tradita nga e gjithë Shqipëria.
Për solisten Iris Bega, kjo shfaqje është një koncert-rrëfim i dashurisë për qytetin.
“Ku ka si Tirana” e shndërron traditën në një përvojë të bukur artistike, duke vendosur Ansamblin në qendër të një kalendari ambicioz kulturor për vitin që vjen.
© SYRI.net