Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 23 e protestës qytetare: Rama jepe dorëheqjen

SYRI TV/ ‘Midis rrezikut dhe shërbimit për Kosovën’, Hoxha: Ishte rrezik, ushtria serbe ishte kudo

14:53, 21/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

SYRI TV

Libri “Midis rrezikut dhe shërbimit për Kosovën” i Sylë Hoxhës, sjell rrëfimin e viteve të vështira, nga mbajtja gjallë e shkollës shqipe deri te sfidat si prokuror në luftën kundër krimit. Përmes dëshmive personale, autori dokumenton shërbimin e tij ndaj Kosovës në periudhat më vendimtare të historisë së saj.

Në një atmosferë reflektimi mbi sfidat dhe sakrificat e viteve të vështira, Sylë Hoxha prezantoi librin e tij “Midis rrezikut dhe shërbimit për Kosovën”, një rrëfim personal i jetës së tij si veprimtar politik, humanitar dhe më vonë prokuror, i lidhur ngushtë me dramat e popullit kosovar. Autori e nis fjalën duke e vendosur titullin si bosht të veprës së tij:

“Vet titulli është mjaft domethënës dhe sigurisht titulli përfshin gjithë veprimtarinë time… duke filluar nga shkollimi, aktiviteti im para luftës së Kosovës… Lidhjen Demokratike të Kosovës, shoqatën ‘Nëna Tereza’, këshillin për mbrojtjen e të drejtave njerëzore, për të mbajtur gjallë arsimin e gjuhën shqipe. Ka qenë punë e ngarkuar me rreziqe… Është një ëndërr e realizuar që këtë aktivitet timin e kam shkruar në letër.”

Duke sjellë në kujtesë vitet e para të luftës, Hoxha ndalet te sakrificat e komunitetit dhe përpjekjet për mbijetesë në kushte të pamundura.

“Puna më e madhe imja ka qenë ajo e viteve të paraluftës, kur e kemi mbajtur jetën gjallë, shkollën shqipe gjallë… çdo familje që kishte nevojë e kemi ndihmuar. Është një mrekulli e kohës që, përveçse u mbajt shkolla shqipe, askush nuk vuajti për bukën e gojës.”

Ai tregon edhe për sfidat e lëvizjes si deputet në vitin 1998, kur përballja me postblloqet serbe, kërcënimet dhe rreziqet e përditshme ishin pjesë e jetës.

 “Lëvizjet tona, nga Prizreni në Prishtinë, takimet me Presidentin historik Ibrahim Rugova… kanë qenë sfida të mëdha. Ktheheshim natën vonë, ishte rrezik, polici dhe ushtri serbe. Zoti na ka ruajtur, se sot kur i kujtoj, trishtohem.”

Në libër autori i kushton vend të veçantë mirënjohjes për Shqipërinë, e cila hapi dyert në ditët më të errëta të spastrimit etnik. Pjesa tjetër e librit fokusohet te rruga e tij në drejtësi, si prokuror dhe kryeprokuror, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar në veri të Kosovës.

 “Kam punuar në prokurorinë speciale… Jam ndër të parët që ka bërë kërkesë për arrestimin e Millan Adeçiçit, i cili në nëntor 2023 bëri masakrën e njohur në pjesën veriore të Kosovës. Ishte punë e rëndë, por u treguam dorën e shtetit. Filluan arrestimet dhe patëm sukses në luftën kundër krimit të organizuar.”

Libri i Syle Hoxhës vjen si dëshmi personale dhe njëherazi si dokument historik, që ruan kujtesën e një kohe kur rreziku ishte pjesë e përditshmërisë, ndërsa shërbimi ndaj Kosovës mbetej qëllimi i vetëm dhe i patundur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco