SYRI TV/ Besnik Mustafaj sjell 'Në mëni të njeni-tjetri', autori rikthen dramën shqiptaro–serbe

22:01, 16/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Besnik Mustafaj rikthehet këtë vit me një nga romanet e tij më të ngarkuara emocionalisht dhe historikisht, një vepër që ka nisur të marrë formë që në rininë e hershme të autorit. Në një fletore studenti ai ruante sinopsin e parë, një ide që nuk u venit asnjëherë, por që e ndoqi në heshtje për vite me radhë. Ishte koha kur Mustafaj njihej si poet i ri dhe i suksesshëm, pa dyshime dhe i mbushur me ambicie letrare. Por teksa shumë nga historitë që shënonte nëpër fletore mbetën të pavlefshme, njëra u ngul thellë, duke e ndjekur si një ngarkesë që kërkonte të shkruhej.

Kjo histori tani është shndërruar në romanin e ri, i cili vendos në qendër marrëdhënien e ndërlikuar shqiptaro–serbe. Një raport i trazuar, i shtrirë nga e shkuara në të tashmen, ku brezat rriten brenda një realiteti të tensionuar, në një “mëni të njëri-tjetrit” që duket e trashëguar dhe e pashmangshme.

Në roman, Mustafaj ndërton një histori ku koha rrotullohet rreth të njëjtit konflikt, por me një sy të ri, më njerëzor. Ngjarja ndodh në sfondin e pavarësisë së Kosovës, ku dhuna, humbjet dhe dhimbja përsëriten, por brenda tyre lind edhe një farë ndryshe: një pyetje mbi mundësinë e pajtimit.
Kjo ide mishërohet në personazhin e një fëmije 10-vjeçar, i vetmi i mbijetuar i familjes së tij. 

Në romanin  "Në mëni të njeni-tjetrit" Mustafaj shpalos një histori që ecën midis traumës dhe humanizmit, një rrëfim që kërkon t’i japë zë një dimensioni tjetër të konfliktit: mundësisë për ta parë tjetrin jo vetëm si armik, por si njeri. Një vepër që rikthen kujtesën, sfidon mentalitetet e trashëguara dhe hap një hapësirë të re për reflektim në letërsinë shqiptare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco