Në një kohë kur realiteti shpesh tejkalon imagjinatën, shfaqja “Amerikan” u ngjit në skenën e Teatrit Skampa të Elbasanit si një reflektim i drejtpërdrejtë mbi botën e sotme dhe humbjen e vlerave njerëzore.
Kjo vepër ndërthur humorin me dramën dhe romancën, duke sjellë një tablo të thellë mbi marrëdhëniet njerëzore, dilemat morale dhe botën e nëndheshme ku humbet ndjeshmëria dhe qëllimi. Për aktorët dhe regjizoren e shfaqjes, çdo pjesë e saj ka një aktualitet të fortë në ditët e sotme.
Lulzim Zeqja, aktor, shprehet:
“Elbasani ka një publik të mirë, një teatër të mrekullueshëm dhe spektatorë shumë të mirë. Sot ndjemë goxha mirë dhe them që edhe publiku rezonoi si shfaqje. Roli im është viktima; unë jam viktimë e kësaj historie që futet në vorbullën e botës së nëndheshme dhe kupton që është në një botë që nuk i takon.”
Përmes një gjuhe ironike dhe situatash të papritura, personazhet përballen me botën e deformuar të realitetit të sotëm, ku e mira dhe e keqja shpesh ndërthuren.
Ina Morinaj, regjisore e shfaqjes, thekson:
“Është shumë aktuale për lidhjet që ka me realitetin që jetojmë çdo ditë. Kemi tre personazhe të vendosura përballë zgjedhjeve shumë të vështira jetësore, dhe me ngjarjet që po shohim rreth e rrotull, për fat të keq ka një lidhje të fortë me realitetin shqiptar. Publiku e priti shumë mirë dhe shpresojmë ta çojmë edhe në qytete të tjera.”
Shfaqja “Amerikan – Bad is good again” do të vijojë turin e saj nëpër teatrin e qyteteve të tjera të vendit, duke pritur që publiku ta përqafojë njësoj si në Elbasan dhe Tiranë.
© SYRI.net