Lini shpallet ‘Ansambël Arkitektonik Urban’, garanci për ruajtjen e identitetit unik kulturor e arkitektonik

Lini shpallet ‘Ansambël Arkitektonik Urban’, garanci për ruajtjen e identitetit unik kulturor e arkitektonik

10:43, 02/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Fshati piktoresk i Linit në Pogradec ka marrë zyrtarisht statusin “Ansambël Arkitektonik Urban”, duke u bërë pjesë e zonës shqiptare të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ky status i ri i jep fshatit mbrojtje të plotë ligjore, duke garantuar ruajtjen e identitetit të tij unik kulturor e arkitektonik.

Përgjegjësja e Muzeut të Pogradecit, arkeologia Froseda Angjellari Tola, shpjegon se deri më tani Lini gëzonte një mbrojtje të përgjithshme si zonë UNESCO, por brenda fshatit mungonte një instrument ligjor që të siguronte mbrojtjen e të gjitha banesave dhe elementeve tradicionale. “Statusi i Ansamblit Arkitektonik i jep fund çdo lloj justifikimi për ndërtime që nuk respektojnë kulturën, traditat dhe arkitekturën e zonës”, thekson ajo.

Banesat karakteristike të Linit datojnë që në shekujt XVIII–XIX. Ato janë kryesisht ndërtime me gurë dhe një pjesë e mirë dallohen për ballkonet e katit të dytë, dikur të përdorura për tharjen e zahireve, peshkut apo për bisedat tradicionale familjare, një element arkitektonik e kulturor që nuk gjendet në fshatrat e tjerë përgjatë bregut të liqenit. Autenticiteti i këtyre banesave ka qenë një ndër arsyet kryesore që e futën Linin në listën e UNESCO-s.

Ndërkohë, zbulimet e fundit arkeologjike në zonën e Boqezës, shumë pranë Linit, kanë shtuar edhe më shumë vlerën e kësaj treve. Siti nënujore i palafiteve është shpallur zonë e mbrojtur arkeologjike me vendim të qeverisë shqiptare në dhjetor 2024. Gërmimet pritet të vazhdojnë edhe disa vite, ndërsa në përfundim zona pritet të muzealizohet  qoftë përmes ngritjes së një muzeu, qoftë përmes rindërtimit shkencor të një palafiti të kohëve të lashta. E gjithë kjo synon ta kthejë sitin në një atraksion të rëndësishëm për vizitorët që duan të njihen nga afër me historinë e banesave prehistorike mbi ujë.

Fshati i Linit, me rrugicat e tij të gurta, peizazhin e mbresëlënës të liqenit të Ohrit dhe arkitekturën e përthithur nga tradita e shekujve, mbetet një nga destinacionet më të bukura të Shqipërisë,një hapësirë ku natyra, trashëgimia dhe komuniteti bashkëjetojnë në harmoni të plotë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco