Në vitin 1844, Berlini u përfshi nga një ethe kulturore që kritikët e quajtën Lisztomania.
Poeti gjerman Heinrich Heine e shpiku këtë term pasi pa me sytë e tij pritjen pothuajse delirante që shoqëronte pianistin dhe kompozitorin hungarez Franz Liszt në sallat e koncerteve në gjithë Europën.
Një vizatim i famshëm i viteve 1840 e përmbledh qartë imazhin: gratë fiksohen, disa rrëzohen pa ndjenja, të tjera hedhin lule drejt skenës. Edhe burrat duken të magjepsur nga prania e pianistit (ose ndoshta nga reagimi i grave ndaj tij).
Këto përshkrime të shoqëruara me kritika armiqësore të kohës, vazhdojnë ende sot të ndikojnë në mënyrën si e kujtojmë Lisztin.
Ai paraqitet shpesh jo vetëm si muzikant, por si ylli i parë modern që shkaktoi histeri masive.
Çfarë ndodhte në koncertet e Lisztit?
Falë recensioneve, kritikave, litografive dhe letrave të vetë Lisztit, dimë shumë për qindra koncertet e tij gjatë viteve 1830 dhe 1840.
Programet e tij përzienin veprat e kompozitorëve të mëdhenj me rishkrime të guximshme të pjesëve të njohura për publikun. Pjesët virtuoze tregonin zotërimin e tij të jashtëzakonshëm të pianos.
Sonata Appassionata ose Pathétique e Beethovenit mund të interpretoheshin krah Fantazisë dhe Fugës Kromatike të Bachut, të luajtura në stilin tepër shprehës të Lisztit.
Nga Schubert-i ai përfshinte këngë si Erlkönig dhe Ave Maria, të përshtatura për piano solo.
Liszt u kthehej gjithashtu operave më popullore të kohës. Veprat Réminiscences de Norma (Bellini) dhe Réminiscences de Don Juan (Mozart) i shndërronte në fantazi madhështore, që kërkonin njëkohësisht virtuozitet dhe ndjeshmëri lirike.
Në këto vepra, Liszt krijonte struktura simfonike vetëm me piano, duke endur tema të shumta në drama muzikore të plota, shumë më tepër se një përzierje melodish të njohura.
Ai zakonisht e mbyllte koncertin me pjesën që entuziazmonte publikun, Grand Galop Chromatique, një bis që tregonte sensin e tij të shfaqjes dhe kuptimin e pritjeve të audiencës.

Kritiku Paul Scudo shkroi në vitin 1850: "Ai është zot absolut i pianos; njeh çdo burim të saj; e bën atë të flasë, të rënkojë, të qajë dhe të ulërijë nën gishtërinj prej çeliku, që lëshojnë energji nervore siç lëshon bateria e Voltës elektricitet."
Publiku, siç duket, shpesh e kalonte kufirin e mirësjelljes dhe etiketës së zakonshme koncertore.
Artist dhe spektakël
Në një seri esesh të vitit 1835 me titull Mbi pozitën e artistëve, Liszt e paraqet veten dhe muzikantët si "artistë të tingullit", të dënuar të keqkuptohen, por që kanë detyrimin e shenjtë "të zbulojnë, lartësojnë dhe hyjnizojnë të gjitha prirjet e vetëdijes njerëzore".
Megjithatë, në një letër dërguar romancierit George Sand, Liszt tregohet i vetëdijshëm për aspektet praktike të koncerteve dhe joshjen e famës.
Ai bën shaka se Sand do të befasohej duke parë emrin e tij me shkronja të mëdha në një afishe koncerti në Paris. Liszt pranon me guxim se rriti çmimin e biletave nga tre në pesë franga, shijon lavdërimet e kritikëve dhe përmend praninë e aristokratëve dhe të shoqërisë së lartë në sallë.
Ai përshkruan skenën të mbuluar me lule dhe përmend vëmendjen e grave pas një performance, edhe pse këtë herë i drejtohej partneres së tij në duet.
Kjo letër zbulon një artist vetëdijshëm, herë i kënaqur e herë i hutuar nga spektakli që shoqëronte artin e tij.
Po, Liszt e përqafoi famën, por ruante njëfarë distance prej saj. Ai e dinte se serioziteti i artit të tij mund të zbehej nga thashethemet e shtypit.
Shumë kritika të kohës funksiononin pikërisht në këtë mënyrë, më shumë si faqe thashethemesh sesa si analiza muzikore, me autorë që ndiheshin të neveritur nga reagimet e zjarrta të publikut.
Thashethemet, pena helmuese dhe lindja e Lisztomanisë
Jo të gjithë ndanin entuziazmin e publikut për Lisztin. Disa kritikë sulmonin si mënyrën e tij të të luajturit, ashtu edhe adhurimin që ai shkaktonte.
Në vitin 1842, një autor me pseudonimin Beta përshkroi ndikimin e përbashkët të performancës së Lisztit dhe reagimit të publikut, duke shkruar se: "Efekti i interpretimit të tij të çuditshëm, pa përmbajtje, pa ide, i mbushur me ndjesi, kontraste dhe copëza, dhe entuziazmi i sëmurë ndaj tij, është një shenjë tronditëse e marrëzisë, pandjeshmërisë dhe boshllëkut estetik të publikut."
Në mënyrë të ngjashme, poeti Heinrich Heine sugjeronte se stili i Lisztit ishte qëllimisht i organizuar për të shkaktuar mani në publik: "Për shembull, kur luante një stuhi në piano, ne shihnim vetëtimat që ndriçonin fytyrën e tij, gjymtyrët i dridheshin si në mes të një ere të fortë, dhe flokët e gjatë dukeshin sikur pikonin shi nga stuhia që po paraqiste."
Këto përshkrime ushqyen mitin e Lisztomanisë, duke i paraqitur gratë në publik si të paarsyeshme dhe histerike.
Vetë termi mani kishte një tingull mjekësor, sikur adhurimi për Lisztin të ishte një sëmundje kulturore.
Litografitë, karikaturat dhe rrëfimet anekdotike e përforcuan këtë narrativë, duke treguar gra që fikeshin, lule të hedhura në skenë dhe turma që silleshin përtej çdo norme shoqërore.
Por këto tregime nuk janë krejt të besueshme; ato u formësuan nga paragjykimet, moralizmi dhe dëshira për sensacion.
Koncertet e Lisztit qëndronin në një kryqëzim të jashtëzakonshëm: art dhe virtuozitet i rrallë, i shoqëruar me teatrin e reagimit të publikut, të filtruar përmes thashethemeve, ekzagjerimeve dhe panikut gjinor.
Në këtë kuptim, fenomeni Lisztomania parashikoi dinamikat e famës moderne. (Madje u bë subjekt i një filmi që një kritik e quajti "filmi historik më i turpshëm që është bërë ndonjëherë.")
Ashtu si interpretuesit e sotëm, Beatles, Beyoncé apo Taylor Swift, që ngjallin adhurim të jashtëzakonshëm dhe njëkohësisht përballen me shpifje e sensacionalizëm, edhe fama e Lisztit ishte e pandarë nga dashuria e publikut dhe nga penat helmuese të kritikëve të tij. / The Conversation - Syri.net
© SYRI.net