Myfarete Laze ka filluar të këndojë që në shkollën fillore, ku talenti i saj spikati menjëherë. Më vonë ajo mori pjesë në festivalet e fëmijëve në Shkodër dhe më pas në atë kombëtar. Në moshën 18-vjeçare, Laze u ngjit për herë të parë në skenën e Festivalit të Këngës, duke hyrë në historinë e muzikës shqiptare si një nga zërat më të veçantë të brezit të saj.
Në intervistën e saj në emisionin “A Show” me Adi Krastën, këngëtarja e njohur rrëfeu periudhën e formimit artistik dhe sfidat që e kanë shoqëruar në rrugëtimin e saj muzikor. Ajo u ndal tek kujtimet e hershme në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Shkodër, ku pati fatin të punonte me emra të njohur si Tonin Harapi, Çesk Zadeja dhe Tish Daija.
“Kam pasur fat që në shkollën ‘Prenk Jakova’, ku u rrita, pata mësues të përkushtuar. Profesori Ferit ishte i kantos, ndërsa Nino Saraçi i pianos. Unë isha zë soprano dramatik. E kam dashur shumë muzikën, por ëndrra ime e parealizuar mbetet konservatori”, – rrëfeu ajo.
Këngëtarja tregoi se impostimi i saj vokal kishte ndikuar ndjeshëm nga origjina familjare, pasi gjyshja e saj ishte çame, ndërsa stili i saj sillte në skenë “rrymën dhe edukatën e muzikës italiane”.
Laze kujtoi gjithashtu se në vitet e karrierës, festivalet kërkonin zëra të veçantë, dhe shumë shqiptarë i njihnin këngëtarët vetëm nga timbri i zërit, pasi jo çdo familje kishte televizor.

“Kur këndova në Festivalin e 19-të, ftesat e para për koncert ishin në Korçë dhe Gjirokastër. Më pritën mrekullisht, nuk i harroj kurrë ae”to emocion, – u shpreh ajo.
Ajo rrëfeu se gjatë karrierës ka interpretuar kryesisht balada, por se kompozitorët e kohës, mes tyre Flamur Shehu, e kanë shtyrë të provojë rryma të tjera muzikore.
“Asnjëherë këngët e mia nuk kanë qenë të rastësishme – kompozitorët shkruanin për tiparet tona, për karakterin tonë. Ishte një kohë e artë për muzikën shqiptare”, – tha Laze.
Përveç rrëfimit të sinqertë për vitet e karrierës, ajo foli edhe për projektin e saj më të fundit – albumin “Më mungon”, i cili përmban njëmbëdhjetë këngë të reja.
Sipas saj, ky album lindi si një mënyrë për të plotësuar një boshllëk shpirtëror dhe për t’i dhënë diçka të re publikut që e ka ndjekur për dekada.
“E kam bërë këtë album për të kënaqur publikun tim, që më ka mbështetur gjithmonë. Muzika është jeta ime”, – përfundoi Myfarete Laze.
Disa nga hitet e saj të njohura dhe të paharruara janë:
"Shoqet ilegale", kënduar me Vaçe Zelën, çmim të parë
"Nën kurorën e ullirit" , me Ema Qazimin
"Nusja e maleve", me Irma Libohovën, çmim të tretë
"Gjuha jonë", çmim të tretë
"O Enver, o yll, o dritë", çmim të dytë
"Udhët e atdheut na thërrasin", çmim të tretë
© SYRI.net