SYRI TV
Shfaqja “Modus Operandi” do të prezantohet në kinemanë “Agimi”. Vepra trajton punën si pasqyrë të jetës dhe dinjitetit njerëzor, nga zanatet në zhdukje te realiteti i pasigurt i punëtorëve e artistëve. Shfaqja nuk jep përgjigje, por ngre pyetje të forta mbi mënyrën se si shoqëria shqiptare e vlerëson punën dhe njeriun që e kryen atë.
Në kinemanë “Agimi” do të ngjitet në skenë shfaqja “Modus Operandi”, një vepër që e sheh punën si pasqyrë të jetës, të dinjitetit dhe të vetë kuptimit të njeriut në shoqëri. Puna, zanati, profesioni të gjitha ato që zakonisht duken të zakonshme marrin në këtë shfaqje një dimension poetik e ironik.
Në një vend ku zejtaritë po zhduken, ku kontratat mungojnë, ku pasiguria është bërë përditshmëri, pyetja që ngrihet është e thellë: çfarë mbetet nga njeriu kur puna humb vlerën e saj? Regjisori dhe aktori Vladimir Doda e sheh këtë proces si një kërkim artistik, që shkon përtej pamfletit.
“Modus Operandi” është një pasqyrë e shoqërisë shqiptare, një thirrje për të reflektuar mbi mënyrën se si puna na formon dhe si shpeshherë na lë pa zë. Ajo nuk mbyllet në art, por e hap artin drejt njerëzve duke e kthyer teatrin në vend të pyetjeve që duhet të na shoqërojnë të gjithëve.
© SYRI.net