Shuhet Claudia Cardinale! Ikona e kinemasë italiane u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare

Shuhet Claudia Cardinale! Ikona e kinemasë italiane u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare

00:09, 24/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shuhet në moshën 87 vjeçare aktorja e njohur italiane Claudia Cardinale. Lajmi u bë i ditur për AFP-në nga agjenti i saj. Ajo u shua në prani të fëmijëve, në Nemours pranë Parisit, ku prej disa vitesh jetonte.

Cardinale magjepsi publikun në mbarë botën me shikimin e saj sensual.

Me bukurinë dhe zërin e thellë, Cardinale jo vetëm që mahniti regjisorët më të mëdhenj italianë, si Luchino Visconti dhe Federico Fellini, por luajti krah shumë aktorëve kryesorë të kohës – nga Burt Lancaster te Alain Delon e Henry Fonda.

Claudia Cardinale ishte një nga aktoret më të famshme të kinemasë italiane: fituese e tre çmimeve David di Donatello dhe tre Nastri d’Argento, si dhe e Luanit të Artë për karrierën në Festivalin e Filmit të Venecias (1993) dhe e Davidit për karrierën në vitin 1997.

Mes filmave të saj më të njohur janë: “Il bell’Antonio” i Mauro Bologninit, krah Marcello Mastroiannit; “La ragazza con la valigia” i Valerio Zurlinit; “8 ½” (1963) i Federico Fellinit; dhe sidomos “Il Gattopardo” i Luchino Viscontit. Ajo interpretoi gjithashtu në “La ragazza di Bube” (1963) të Luigi Comencinit dhe “La pelle” (1981) të Liliana Cavanit.

Karriera

Cardinale fitoi famë qysh në moshën 16-vjeçare kur u shpall “Gruaja italiane më e bukur në Tunis”.

Rruga e saj drejt kinemasë nisi me një plagë të rëndë. Në adoleshencë ajo u përdhunua nga një producent dhe mbeti shtatzënë. E detyruar të zgjidhte mes skandalit dhe heshtjes, vendosi të rriste djalin Patrick, duke tentuar të siguronte jetesën dhe pavarësinë përmes filmit – edhe pse kurrë nuk kishte dashur të bëhej aktore.


“E bëra për të, për Patrick-un, fëmijën që doja ta mbaja pavarësisht rrethanave dhe turpit të madh publik,” rrëfeu ajo për Le Monde në vitin 2017.

E lindur më 15 prill 1938 në La Goulette pranë Tunisit, nga prindër sicilianë, Cardinale fitoi famë qysh në moshën 16-vjeçare kur u shpall “Gruaja italiane më e bukur në Tunis”. Çmimi i saj ishte një udhëtim në Festivalin e Filmit në Venecia – aty ku menjëherë ra në sy

Fillimisht ngurronte:

“Të gjithë regjisorët dhe producentët donin të bëja filma, por unë thosha: ‘Jo, nuk dua!’” rrëfente ajo. Ishte i ati që e bindi “t’i jepte një mundësi kinemasë”.

Por pas rolit të parë, ajo u gjend përballë dhunës. Dikush e këshilloi të lindte fshehtas në Londër. Për shtatë vjet Patrick u paraqit si vëllai i saj i vogël, derisa Cardinale vendosi të tregonte të vërtetën.

Ikonë e kinemasë evropiane

Në moshën 20-vjeçare ajo u bë protagoniste e një epoke të artë të kinemasë italiane, edhe pse nuk dinte asnjë fjalë italisht – fliste vetëm frëngjisht, arabisht dhe dialektin sicilian të prindërve.

Zëri i saj duhej të dublohej, derisa Federico Fellini këmbënguli që ajo të përdorte zërin e vet në “8 ½” (1963). Po atë vit, ajo xhiroi edhe epopeun e Viscontit, “Il Gattopardo”, duke u shndërruar në simbol të elegancës pasluftës.

Në Hollivud  ajo pati sukses me “The Pink Panther” të Blake Edwards, krah Peter Sellers, e më pas në “Circus World” me John Wayne dhe Rita Hayëorth.

Një jetë në skenë dhe kauza

Cardinale refuzoi gjithnjë kirurgjinë plastike dhe vazhdoi të interpretonte deri në të 80-at e saj, përfshirë shfaqjen “La Strana Coppia”, versioni femëror i Çiftit të çuditshëm të Neil Simon në Napoli.

Edhe pse e dëshiruar nga shumë, ajo e quante “të vetmin dashuri” regjisorin napolitan Pasquale Squitieri, babai i vajzës së saj Claudia, me të cilin bashkëpunoi për katër dekada, deri në vdekjen e tij në vitin 2017.

Me role në 175 filma, dhjetëra role teatrale dhe dy çmime nderi nga festivalet e Venecias dhe Berlinit, Cardinale mbetet një ikonë e kinemasë botërore.

Në vitin 2000 u shpall Ambasadore e Vullnetit të Mirë e UNESCO-s, për angazhimin e saj në mbrojtjen e grave dhe vajzave.

“Kam pasur shumë fat. Ky profesion më ka dhënë një mori jetësh, dhe mundësinë që famën time ta vë në shërbim të shumë kauzave,” thoshte ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco