Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit sjell premierën e operës La Traviata të Giuseppe Verdit, në një produksion madhështor të regjisorit me famë botërore Hugo de Ana. Sopranoja Nina Muho dhe tenori Mario Rojas ndanë emocionet dhe mesazhin e përjetshëm të sakrificës për dashurinë, që kjo kryevepër mbart edhe sot.
SYRI TV
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit sjell për publikun shqiptar një nga kryeveprat më të mëdha të Giuseppe Verdit " La traviata" në një produksion të ri e madhështor nën regjinë e mjeshtrit me famë botërore Hugo de Ana. Në këtë produksion, historia e Violettës merr jetë përmes një skenografie monumentale dhe një gjuhe vizuale që kapërcen kohën, duke e bërë operën po aq aktuale sot sa edhe në shekullin XIX. Sopranoja Nina Muho, rrëfen sfidën dhe emocionin e rikthimit në këtë rol:
Sa herë që performojë La Traviata është gjithmonë e vështirë. Këtë herë është hera e 15 që e interpretoj Violettën dhe çdo herë përpiqem të jem më e thellë, më e vërtetë brenda emocioneve të saj. Është një vepër që flet edhe për kohën tonë për dashurinë, dhimbjen, sakrificën. Jam shumë e lumtur që këtë produksion, ku kam kënduar edhe në Zagreb, këtë herë e performoj në shtëpi.
Tenori me origjinë nga Kili, Mario Rojas, që ka interpretuar La Traviata mbi 100 herë në skena të botës e konsideron këtë eksperiencë unike:
Është kënaqësi e madhe për mua të jem në Shqipëri me këtë produksion të Hugo de Ana. Çdo vend sjell një kulturë të re, një mënyrë tjetër interpretimi, dhe këtu kam gjetur një energji të veçantë.
Sopranoja thekson dimensionin e brishtë të rolit:
Sa më shumë që e rikthen në skenë, aq më e vështirë bëhet. Përpiqesh të gjesh emocione të reja, jo vetëm përmes personazhit, por edhe brenda vetes, zërit dhe mënyrës së interpretimit. Sakrifica për dashurinë është emocioni më i madh që mbart kjo vepër.
Rojas vlerëson në mënyrë të veçantë bashkëpunimin me sopranon shqiptare, ndërsa shtoi se vepra ka sjellë një revolucion për kohën kur është shfaqur:
Është një privilegj të këndoj me Nina Muhon. Nuk e prisja të gjeja këtë intensitet aktrimi dhe shprehjeje në skenë. Ajo i jep një dimension të veçantë interpretimit. Sa i përket veprës, ajo që e bënë të veçantë është fakti që solli një revolucion për kohën ku u shfaq në skenë. Ajo shfaq sakrificën dhe dashurinë për njeriun e zemrës.
Arti operistik mbetet një nga mënyrat më të thella për të prekur shpirtin e kohës. Shfaqjet do të mbahen më 26, 27, 28 dhe 29 shtator në skenën e Operas.
© SYRI.net