Mjeshtrja e madhe e skenës, aktorja e komedisë së teatrit Drande Xhaj, ishte e ftuara e radhës në emisionin “A Show” në Syri TV me moderatorin Adi Krasta. Në një rrëfim të sinqertë në vetë të parë, artistja shkodrane foli për jetën, karrierën dhe sfidat e saj në skenën shqiptare.
“Rrugëtimi ka edhe tërheqje, ka edhe vështirësi, ka edhe sakrifica, siç është jeta. Jeta nuk është gjithmonë e bukur, ka sfidat e veta. Ashtu ka qenë edhe jeta ime,” tha Xhaj.
Ajo pranoi se nuk i është dukur kurrë vetja e bukur, pavarësisht komplimenteve që ka marrë: “Asnjëherë nuk më është dukur vetja e bukur, edhe pse shpesh e kanë thënë. Megjithatë jam ndjerë mirë me veten, sepse në fund të fundit nuk është meritë e imja të jesh e bukur apo jo.”
Duke kujtuar emocionet e para në skenë dhe bashkëpunimin me emra të mëdhenj të artit shqiptar si Ndrekë Luca dhe Tinka Kurti, ajo tha: “Të takoje ata, qoftë edhe njëherë në rrugë, ishte fat. Ndërsa të luaje me ta, ishte një emocion i jashtëzakonshëm.”
Aktorja tregoi se është ndjerë gjithmonë e vlerësuar nga publiku: “Më kanë trajtuar jashtëzakonisht mirë. Jam ndjerë aq mirë sa nuk di ta shpreh. Unë i jam shumë borxhlije publikut, sepse është ai që më ka bërë kjo që jam sot.”
Në intervistë, Xhaj vlerësoi edhe figurat e mëdha të teatrit shqiptar, si Zyliha Miloti dhe Tinka Kurti, duke i cilësuar si simbol të artit skenik në mbarë kombin.
Drande Xhaj:
Rrugëtimi kaq edhe tërheqje, ka edhe vështirësi, ka edhe sakrifica, siç është jeta, jeta nuk është gjithmonë e bukur, ka edhe vështirësi, ka sfidat e veta, ashtu ka qenë edhe jeta ime.
Po ta them sinqerisht që asnjëherë nuk më është dukur vetja e bukur, edhe pse shpesh e kanë thënë, unë e kam dëgjuar shumë herë, edhe bile shihesha në pasqyrë edhe thosha: hajde more se s’jam aq sa thonë ata, megjithatë jam ndjerë mirë me veten sepse në fund të fundit nuk është meritë e imja të jesh e bukur apo jo.
Atëherë, kur e kam luajtur, unë s’kisha idenë e filmit, as nuk e dija çfarë është filmi.
Kur pashë Ndrekë Lucën, Tinka Kurtin, ma merr mendja për kënd do të ishte një ëndërr me i taku, qoftë edhe njëherë në rrugë me i taku do të ishte fat, dhe unë me ato me lujt një emocion i jashtëzakonshëm.
Më kanë trajtuar jashtëzakonisht mirë, jam ndjerë aq mirë sa s’di ta shpreh. Aq mirë jam ndjerë sa edhe tani vonë na ra të shkojmë në teatrin e kukullave në Pogradec, u ndalëm diku dhe më thanë: sa herë është përmendur emri yt në shtëpinë tonë… Mua më emocionoi shumë, thashë: Ndrekë Luca të më përmendë mua?
Zyliha Milotin e kam pasur si mësuese, si mentore, si dashamirëse, si kolege por edhe një mike e jashtëzakonshme.
Aktori/a më e madhe e Shkodrës në mendimin tim në fushën e teatrit serioz, Tinka është simbol i aktores në Shqipëri, në të gjithë kombin, ka qenë një Vitori Nino e jashtëzakonshme, që i ka luajtur të dy planet në mënyrë të shkëlqyer, si dramën si komedinë, ka luajtur ke Këshilli i Ndrikullave një rol fantastik, ka luajtur loken, etj.
Unë i jam shumë borxhlije publikut dhe është ky publik që më ka bërë mua kjo që jam sot.
© SYRI.net