Ekspozita ‘Kolonia ndërkombëtare e Piktorëve ka çelur edicionin e 16-të të tij, ku për 10 ditë radhazi do të prezantohen 35 vepra artistike. Kjo është një hapësirë dedikuar lidhjes që krijohet shpesh mes artit dhe artdashësve. Në këtë aktivitet morën pjesë artistë nga Koreja, Republika Çeke, Lituania e shumë të tjerë. Ata prezantuan punimet e tyre bashkë me mesazhet që përçonin.
Syri TV
Pogradeci ka çelur edicionin e 16-të të Kolonisë Ndërkombëtare të Piktorëve, një ngjarje e rëndësishme në kalendarin kulturor të qytetit. Për dhjetë ditë me radhë, rreth 35 vepra artistike të krijuara nga autorë nga vende të ndryshme do të jenë të hapura për publikun, duke ofruar një hapësirë të re komunikimi mes artit dhe vizitorëve. Artistja koreane Yeonsun Kim prezantoi punimet e saj me temë “flutura”, të realizuara në metal dhe pllaka alumini. Sipas saj, flutura simbolizon gëzimin, shpresën, bukurinë dhe kalimin përtej botës së dukshme.
Këto vepra kanë si temë kryesore fluturën.
Siç mund të shihni, flutura simbolizon gëzimin, idealin, shpresën, bukurinë, por edhe kalimin përtej botës së dukshme. Materialet e përdorura janë metali dhe pllakat prej alumini, të cilat përpunohen me lustër dhe ngjyrosje, duke krijuar një pamje që shkëlqen nën dritë. Në këtë mënyrë, shfaqet ndjesia magjike dhe e bukur e shkëlqimit të metaleve, të cilën shikuesi mund ta përjetojë drejtpërdrejt.
Pjesëmarrje kishte dhe nga Republika Çeke, ku piktori Roman Kharevsky, i cili viziton për herë të parë Shqipërinë, e cilësoi pjesëmarrjen në këtë koloni si përvojë frymëzuese.
Roman Kharevsky Czech Republic: Jam nga Republika Çeke, nga një qytet shumë i bukur, Karlovy Vary, dhe kjo është një përvojë shumë interesante sepse është hera e parë që vij në Shqipëri, hera e parë që vij në Pogradec, dhe hera e parë që marr pjesë në këtë koloni të bukur. Të punosh me artistë të tjerë nga vende të ndryshme është një frymëzim i madh. Çdo ditë flasim, çdo ditë ka diçka të re, çdo ditë pikturojmë në një stil tjetër.
Gjithashtu artisja Sabine Liva nga Letonia u shpreh e impresionuar nga peizazhi natyror dhe mikpritja e qytetarëve të Pogradecit. Sipas saj, puna në hapësira të hapura dhe drita natyrore ofruan energji dhe frymëzim të veçantë, duke e ndihmuar të njohë stile e teknika të reja dhe të krijojë lidhje që do të mbeten gjatë.
Sabine Liva Letonia: Është hera e parë që vij në Shqipëri, dhe ju falënderoj që më keni pritur këtu. Më ka pëlqyer shumë bukuria natyrore, peizazhi, ngrohtësia dhe dielli i natyrës, por edhe i njerëzve këtu. Faleminderit.
Pyetje: Po përvojën tuaj në koloni, si e përjetuat?
Ndoshta përballë pikturave të mia… është një hapësirë e bukur. Përvoja ime këtë herë, duke u përzier me artistë të tjerë, duke punuar bashkë, ishte shumë e këndshme. Mësova shumë ide të reja, teknika të reja dhe mënyra të reja për ta parë artin në raport me mjedisin.
Kolonia Ndërkombëtare e Piktorëve mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të Pogradecit, duke sjellë art ndërkombëtar dhe duke e pozicionuar qytetin si qendër të shkëmbimit kulturor. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun për dhjetë ditë.
© SYRI.net