Pa pasur një kërkesë nga pronarët e supozuar, këshilli bashkiak miratoi një projektvendim që i hap rrugë shpronësimit të truallit të teatrit “Skampa” në Elbasan. Godina e teatrit është ndërtuar 90 vjet më parë dhe i është bërë dhuratë qytetit, ndërsa sot bashkia pretendon se i duhet të dëmshpërblejë pronarët me qëllim ndërhyrjet restauruse në godinë. Por ky veprim i socialistëve në Elbasan, është kundërshtuar nga këshilltarët e opozitës, të cilët kanë ngritur dyshime mbi vendimarrjen pasi ish-pronarët e truallit të teatrit Skampa nuk kanë ngritur pretendime për këtë pronë.
SYRI TV
Plotë 90 vjet, pasi Xhavit Bej Biçaku ndërtoi dhe i dhuroi Elbasanit këtë teatër, duke ia dhuruar qytetit, bashkia e Drejtuar nga Gledian Llatja ka shpikur një procedurë shpronësimi për ish-trashgimëtarët e truallit, ndonëse nga këta të fundit nuk pasur kurrë një kërkesë të tillë. Në mbledhjen e këshillit bashkiak, bashkia paraqiti një kërkesë për dëmshpërblim të trashëgimtarëve të truallit ku është ndërtuar teatri, me pretendimin se kështu bashkia mund të marrë në administrim të plotë godinë historike të teatrit të Elbasanit.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, këshilltarët socialistë pretenduan se shpronësimi i truallit, i hap rrugë administrimit të plotë godinës së teatrit, me qëllim kryerjen e invsetimeve.
Por këshilltarët e opozitës kanë kundërshtuar këtë projektvendim të bashkisë Elbasan, duke u shprehur se një kërkesë e tillë nuk ekziston nga pronarët e truallit. Por pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, këshilltarët socialistë miratuan projektvendimin, ndonëse për këtë veprime janë ngritur jo pak pikëpyetje mbi statusin juridik të truallit të godinës së teatrit të Elbasanit.
© SYRI.net