Pas ndarjes nga jeta të aktorit, regjisorit dhe dramaturgut të njohur shqiptar Naun Shundi, mesazhet prekëse të familjarëve dhe kolegëve të tij të afërt kanë prekur opinionin publik.
Vajza e artistit, e tronditur nga humbja, tha se babai i saj iku në heshtje, pa pasur mundësinë t’i përshëndeste.
“Edhe pse iku, la diçka –dhe ajo është ‘Zonja e Bujtinës’. La jetën për atë teatër,” – tha ajo ndër të tjera, duke treguar se ai ishte duke punuar për një shfaqje të re që nuk arriti ta përfundonte. “Babi po përgatitej për një shfaqje, por nuk e përfundoi. Mjekët nuk na e thanë dot që babi do të vdiste, askush nuk na e tha. Ai mendonte se do të jetonte. Iku pa na thënë asnjë fjalë. Babi e hëngri kanceri nga brenda.”
Një tjetër mesazh ngushëllimi dhe vlerësimi erdhi nga aktori i mirënjohur Bujar Asqeriu, i cili e cilësoi Shundin si një artist të kompletuar dhe njeri të rrallë.
“Nauni ishte një artist universal – regjisor, aktor, dramaturg – por mbi të gjitha, një njeri i fisëm dhe modest. Ai nuk kërkoi kurrë vëmendje për veten, por vepra e tij fliste vetë. Rruga e tij në art duhet të jetë shembull për të rinjtë. La pas mesazhe paqeje, dashurie dhe përkushtimi për komunitetin artistik.”
Naun Shundi u nda nga jeta më 29 gusht, në moshën 66-vjeçare, pas një beteje të rëndë shëndetësore. Homazhet për artistin u mbajtën sot, nga ora 10:30 deri në 12:00, pranë ambienteve të Teatrit Kombëtar (ArTurbina) në Tiranë.
© SYRI.net