Nga Alba Kepi:
Ermal Meta është i ftuari special në “La Notte della Taranta 2025” – Nata e Tarantës, një nga festivalet më të njohura dhe më të mëdha të muzikës popullore në Itali, që mbahet çdo fund gushti në Salento, në komunën Melpignano.
Syri TV sjell ekskluzivisht performancën e tij dhe të të artistëve të tjerë që sot në mbrëmje do të performojnë në skenën madhështore që pritet të ketë mbi 100 mijë spektatorë.
“Jo vetëm nën të njëjtin qiell, por edhe mbi të njëjtin det. Nata e Tarantës nuk është thjesht një festë muzikore: është një urë mes rrënjëve tona, identitetit tonë dhe së ardhmes. Tradita jeton kur këndohet, vallëzohet dhe ndahet me të tjerët, dhe ky event i jep vlerë, e forcon dhe na kujton kush jemi”, shprehet Ermal Meta në konferencën me gazetarët ku informon se do të sjellë në skenë këngën e njohur arbëreshe “Lule Lule”.
Si çdo vit, dhjetëra mijëra spektatorë mbërrijnë në zemër të Salentos për të marrë pjesë në këtë festë kolektive të muzikës dhe kulturës popullore, e risjellë në një frymë bashkëkohore dhe në dialog me traditat muzikore nga vende të ndryshme.
Nata e Tarantës është tashmë një prej simboleve të eventeve më të pritura të verës italiane, që i jep vlerë valleve e këngëve tradicionale, e vesh në një gjuhë universale bashkëjetese mes kulturave të ndryshme.
Këmbët godasin mbi tokë në një ritëm të rregullt e të fortë, vënë në lëvizje trupin, e ngrenë mbi gjoks duart. Herë në gjysmë hark, herë në një rrotullim të plotë, trupat joshin njëri tjetrin. Kërcimi përfshin një lojë të fortë shikimesh e hapa që shprehin bukurinë femërore. Janë momente euforie dhe lirie, që e bëjnë vallen përfshirëse për të gjithë. Muzika është e ndërtuar nga ritmi i dajres, fizarmonikës, klarinetës, violinës duke krijuar një melodi – himn i shpirtit të kërcimit. Kjo është Pizzica, vallja salentine – simboli i këtij Festivali e shprehje e identitetit kulturor të Salentos, një urë midis trupit dhe shpirtit, historisë dhe të tashmes, territorit e komunitetit. E kërcejnë të rinj e të moshuar, prindër e fëmijë, e Nata e Tarantës është Festa e të gjithëve mbi të njëjtin det e nën të njëjtin qiell.
Festa që bashkon brigjet e Adriatikut
Pjesëmarrja e Ermal Metës, me këngën arbëreshe “Lule Lule” e këngën e tij "Mesdheu", i jep edicionit të 2025-s një dimension të veçantë.
“Lule Lule” është një nga këngët më të njohura të botës arbëreshe, një himn ndaj dashurisë, rinisë, bukurisë, shpresës. Me një tekst poetik i këndon delikatesës së vajzës, që e krahason me lulen, bukurisë së natyrës që i dedikon dashurisë e jetës. Zëri i mrekullueshëm i Ermal Metës, talenti i tij, krijon ura dhe fillin narrativ të historisë shqiptare mes dy brigjeve të Adriatikut, mes rrënjëve të përbashkëta kulturore dhe trashëgimisë shpirtërore që ka mbijetuar ndër shekuj në komunitetet arbëreshe.
E lule-lu, e lule-lu
E lule-lule, maca-maca
Se unë për ty, se unë për ty
Unë për ty veç ndaloj pak
E lule-lu, e lule-lu
E lule-lule-lule-lule-lule-lu
E lule-lu, e lule-lu
E lule-lule-lule-lule-lule-lu
Një tjetër moment unik i kësaj feste të muzikës popullore është performanca e këngëtarit të njohur italian Giuliano Sangiorgio, solisti i grupit Negramaro me dy këngë të traditës salentine e videoklipin e tij të ri "La Carcaluru" kënduar në dialektin salentin, e dedikuar ullinjve me pjesëmarrjen e dy balerinëve të parë të Teatrit Scala, Nicoletta Nanni e Timofej Andrijashenko.
Këngëtarja me prejardhje palestineze Tara ngjitet në skenë me bluzën e kombëtares së futbollit ku mbi gjoks shkruhet “Palestina”. Me zërin e rafinuar e stilin modern këndon "Araba Fenice".
Këngëtari Settembre, fitues i Çmimit të kritikës në Sanremo 2025, siciliania Ana Castiglia, Serena Brancali e grupi që sivjet mbush 50 vjet karrierë, "Canzoniere Grecanico Salentino" janë disa nga artistët e tjerë të këtij eventi, së bashku me orkestrën popullore dhe korin.
Një projekt kulturor unik
Nata e Tarantës është një takim mes popujve e kulturave falë forcës universale të muzikës. Ky event është një projekt kulturor i Fondacionit La Notte della Taranta, i drejtuar këtë vit nga Massimo Bray, dhe nën mbështetjen e Rajonit të Puglias dhe Pugliapromozione, në bashkëpunim me Unione dei Comuni della Grecìa Salentina dhe Istituto Diego Carpitella.
Drejtimin artistik të edicionit 2025 e mban Maestro amerikan David Krakauer, ndërsa koreografitë janë krijuar nga Fredy Franzutti.
Është një edicion me zgjedhje të reja artistike, me një trupë baleti klasik e aranxhime muzikore që sjellin gjurmë nga përtej oqeanit, por që nuk mundën të shndërrojnë e as të transformojnë rrahjet e zemrës së Pizzica-s.
David Krakauer, i njohur si një nga klarinetistët më të mëdhenj në botë ka bashkëpunuar me artistë dhe ansamble si Marin Alsop, WDR Big Band, Kuarteti Emerson, Abraham Inc. (bashkë-krijuar me Fred Wesley dhe Socalled), Dawn Upshaw, Anakronic Electro Orkestra dhe Kathleen Tagg (pianiste dhe bashkë-krijuese e duos Breath & Hammer).
Klarineta e tij është filli narrativ i kësaj feste të muzikës popullore që shoqëron, drejton, vlerëson këngën, vallen, melodinë e çdo artisti e instrumenti në skenë.
“Edhe në një periudhë të vështirë si kjo që po jetojmë, struktura e madhe organizative e Natës së Tarantës tregon aftësitë dhe profesionalizmin e jashtëzakonshëm të territorit tonë, të cilat duhet të vlerësohen,” deklaron Massimo Bray, President i Fondacionit.
“Shpresa ime është që kultura të bëhet gjithnjë e më shumë një mundësi punësimi të qëndrueshëm për ata që i kanë kushtuar jetën e tyre. Një falënderim i veçantë shkon për maestro Krakauer, për koreografin Franzutti, por edhe për Orkestrën Popullore të La Notte della Taranta, që ka treguar jo vetëm nivel artistik të jashtëzakonshëm, por edhe një lidhje të thellë shpirtërore me këtë manifestim.
Për etërit themelues, kultura ishte forma më e lartë e edukimit të qytetarëve të së ardhmes. Sot realiteti është ndryshe, shpesh i lidhur me tregun, por kjo nuk duhet të na largojë nga misioni ynë: të formojmë qytetarë, të ofrojmë mesazhe paqeje dhe shprese, dhe të sigurojmë investime serioze për projekte si ky. Mbi të gjitha, La Notte della Taranta duhet të mbetet një festë gëzimi, paqeje dhe bashkëjetese. Titulli i këtij viti, ‘Nën të njëjtin qiell’, është një mesazh i qartë: kultura bashkon, krijon ura, nuk ndan kurrë.”
Edicioni i këtij viti është i veçantë edhe për Presidentin e Rajonit të Pulias, Michele Emiliano, i cili ndodhet në vitin e fundit të mandatit të tij.
“Nata e Tarantës është një pasuri kulturore e gjallë, një festë kolektive e identitetit puglies, që çdo vit rinovohet, pasurohet dhe i tregon botës veten përmes muzikës, vallëzimit dhe bukurisë,” shprehet Emiliano.
“Ky edicion do të jetë i fundit për mua si President i Rajonit të Pulias, dhe më emocionon fakti që vëmendja kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë ngjarje mbetet e jashtëzakonshme. Melpignano është kthyer në një skenë botërore, ku identiteti ynë takohet me kulturat e tjera në një gjuhë universale: atë të muzikës.”
Historia e Tarantës
Taranta ka origjinë të lashtë dhe lidhet me një ritual shërues që gratë dhe burrat e Salentos përdornin për të përballuar pickimin e tarantulës, një insekt helmues që mund të shkaktonte dhe vdekjen. Vallja dhe muzika përdorej si terapi shëndetësore dhe emocionale. Ritmet e shpejta dhe lëvizjet intensive ndihmonin në çlirimin e trupit nga efekti i helmit, duke krijuar një përvojë kolektive të bashkimit dhe shërimit. Kjo traditë simbolizon forcën e komunitetit dhe bashkëjetesën përmes muzikës dhe valleve.
Nata e Tarantës nisi në vitet ’90 si një projekt lokal për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë muzikore dhe vallet popullore të Salentos. Qëllimi ishte të prezantonte këto ritme e melodi tek publiku kombëtar dhe ndërkombëtar, duke treguar se tradita ruhet kur kultivohet dhe ndahet me të tjerët.
Me kalimin e viteve u bë një fenomen kulturor me rëndësi ndërkombëtare gjatë ditëve përgatitore të së cilës artistët vizitojnë qytete dhe fshatra të ndryshme të Salentos për të promovuar muzikën dhe vallet tradicionale.
Ky event më shumë se një koncert, është një vlerësim i identitetit dhe trashëgimisë kulturore salentine e minorancave etnike në territor, duke kombinuar traditën me inovacionin bashkëkohor. Artistë nga Italia dhe e gjithë bota bashkohen për të interpretuar vallet e këngët tradicionale dhe për të eksperimentuar me zhanre të ndryshme muzikore, duke krijuar ura kulturore dhe duke promovuar bashkëjetesën dhe dialogun ndërkulturor.
Nata e Tarantës simbolizon lidhjen mes të kaluarës dhe të tashmes dhe tregon se traditat mund të mbeten të gjalla kur këndohen, vallëzohen dhe ndahen me të tjerët.
Titulli i këtij edicioni “Nën të njëjtin qiell” nënkupton bashkimin, paqen dhe solidaritetin përmes muzikës, duke i dhënë vlerë identitetit dhe kulturës lokale dhe duke e lidhur atë me botën.
© SYRI.net