'Një perlë e vërtetë e fshehur e Ballkanit, i magjeps vizitorët me...'/  'Le Figaro' sugjeron Shqipërinë për turizëm kulturor

'Një perlë e vërtetë e fshehur e Ballkanit, i magjeps vizitorët me...'/ 'Le Figaro' sugjeron Shqipërinë për turizëm kulturor

13:44, 07/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shqipëria po afirmohet me shpejtësi si një nga destinacionet më premtuese të turizmit ndërkombëtar, duke tërhequr vëmendjen globale për autenticitetin kulturor, natyrën e paprekur dhe përvojat unike që ofron.

E përditshmja prestigjioze franceze Le Figaro, në një artikull të fundit të dedikuar udhëtimeve kulturore, e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve më të mira kulturore në botë për udhëtime të organizuara. Në artikull thuhet se, ashtu si thesaret e Rilindjes Italiane apo vendet ikonike të trashëgimisë botërore, Shqipëria ofron një ndërthurje mbresëlënëse të peizazhit dhe trashëgimisë kulturore.

Gazeta e përshkruan vendin si një “perlë të fshehur të Ballkanit”, që josh me pasurinë historike, diversitetin natyror dhe një identitet të rrallë autentik, që shpesh i mungon destinacioneve të mbingarkuara turistike.

“Vizita në Shqipëri është si një udhëtim nëpër kohë, ku qytetërimet ilire, greke dhe osmane kanë lënë gjurmë të thella në çdo cep të vendit”, shkruan Le Figaro, duke rekomanduar qytete si Tirana, Gjirokastra, Berati dhe Butrinti, ku historia dhe kultura kombinohen me statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Por ajo që e bën Shqipërinë vërtet të veçantë, sipas Le Figaro, nuk janë vetëm sitet arkeologjike apo monumentet historike, por mikpritja e popullit, trashëgimia kulturore e gjallë dhe një kuzhinë e pasur dhe plot shije.

“Shijoni një byrek krokant, dëgjoni polifonitë shqiptare të listuara nga UNESCO dhe eksploroni tregjet e gjalla, ku përzihen aromat mesdhetare dhe ndikimet orientale”, sugjeron artikulli, duke e pozicionuar Shqipërinë si një destinacion të pazëvendësueshëm për ata që kërkojnë përvoja të vërteta kulturore.

Ky vlerësim i Le Figaro i shtohet një sërë vëmendjesh ndërkombëtare që Shqipëria ka marrë së fundmi, duke e kthyer atë në një yje në ngjitje në hartën e turizmit kulturor botëror.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco