Baleti dhe Opera Mbretërore (Royal Ballet and Opera – RBO) në Mbretërinë e Bashkuar ka anuluar shfaqjen e planifikuar të operës “Toska” të Puçinit për vitin 2026 në Operën Izraelite në Tel Aviv, pas një proteste të fortë nga brenda organizatës.
Vendimi erdhi pasi 182 anëtarë të stafit – mes tyre valltarë, muzikantë, këngëtarë dhe punonjës prapa skenave – nënshkruan një letër të hapur drejtuar drejtuesve të RBO-së, duke dënuar atë që e quajtën “hipokrizinë” e institucionit dhe heshtjen e tij ndaj sulmeve izraelite në Gaza.
Në mesazhin e tij për stafin, drejtori ekzekutiv i RBO-së, Sir Alex Beard, konfirmoi anulimin: “Kemi marrë vendimin që prodhimi ynë i ri i Toskës nuk do të shkojë në Izrael.”
Në letrën drejtuar Beard dhe bordit të RBO-së, stafi kritikoi vendimin për të bashkëpunuar me Operën Izraelite, duke e cilësuar atë një partner të qeverisë izraelite, të cilën ata e akuzuan për “krime kundër njerëzimit”. Ata theksuan se Opera Izraelite ofron rregullisht bileta falas për ushtarët izraelitë, duke e parë këtë si një akt mbështetjeje të drejtpërdrejtë ndaj fushatës ushtarake në Gaza.
“RBO po bën qartë një deklaratë të fortë politike duke lejuar që prodhimi dhe prona e saj intelektuale të shfaqet në një hapësirë që shpërblen dhe legjitimon hapur pikërisht forcat përgjegjëse për vrasjet e përditshme të civilëve në Gaza”, thuhej në letrën e stafit.
Në dokument përmendej edhe incidenti i muajit të kaluar, kur interpretuesi Daniel Perry shpalosi një flamur palestinez gjatë një shfaqjeje të “Il trovatore” në Shtëpinë Mbretërore të Operas, duke u përplasur me drejtorin artistik Oliver Mears që tentoi t’ia rrëmbente flamurin. Në letër, stafi e quajti këtë akt të Perry-t “një moment guximi dhe qartësie morale”, dhe kritikoi Mears për ndërhyrjen e tij agresive.
Letra i kërkonte RBO-së të ruante të njëjtin standard që tregoi në vitin 2022 pas pushtimit të Ukrainës, duke marrë një pozicion të qartë edhe për Gazën.
Menjëherë pas njoftimit për anulimin, Opera Izraelite ka hequr çdo referencë për “Toskën” nga faqja e saj zyrtare.
© SYRI.net