Lajmi i fundit

LIVE/ Marshimi kilometrik i protestuesve, kërkohet dorëheqjen e Ramës

VIDEO/ Viola Isufaj në ‘Odeon’: Martin Camaj e nxori shqiptarin nga kujtesa e gjakut

21:48, 02/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në fjalën e saj në ‘Odeon’, studiuesja Viola Isufaj solli një portret të thellë dhe të ndjerë të Martin Camajt si një shqiptar arketipal, që prej kujtesës së gjakut ndërtoi figurën e vet të shkrimtarit dhe të njeriut, duke mbajtur brenda vetes malësorin si identitet dhe si mënyrë jetese.

‘Nga kujtesa e gjakut e nxorri shqiptarin dhe e ndërtoi atë, duke marrë të gjitha karakteristikat më tipike, më esenciale të tij prej figurës së malësorit. Shikoni, Martin Camaj e kishte malësorin brenda.’

Isufaj përmend një nga detaj nga jeta e Camajt zakonin për të prerë dru në Alpet e Bavarisë, një praktikë që nuk lejohej, por që për të ishte një shtysë e brendshme, një instinkt i ngulitur thellë nga jeta e malësorit.

‘Erika e tregon, e dinë dhe profesorët këtë gjë, se ai shkonte dhe priste dru në Alpe të Bavarisë. Kjo nuk lejohej, ai e dinte që nuk lejohej, por kishte instinktin e malësorit brenda. E bënte këtë dhe pse e dinte që mund të zinte në befasi apo të gjobitej, asnjëherë nuk u zu. Këtë punë e bëri gjatë gjithë jetës së tij.’

Mikpritja ishte një tjetër tipar që ai e mori me vete nga Shqipëria. Shtëpia e tij në Lengris, siç përshkruhet nga Isufaj, ishte gjithnjë e hapur për miq, për bashkatdhetarë në nevojë, për shqiptarë të Kosovës që përballeshin me vështirësi gjatë emigrimit në vitet 1961–1991.

‘Priste miq njësoj si në Shqipëri, në shtëpinë e tij në Alpe të Bavarisë, në Lengris. Ka ndihmuar shumë shqiptarë të Kosovës që kishin probleme ligjore dhe më tepër ngatërresa gjatë viteve ’61-’91, dhe ka mikëpritur pafund aty miq.’

Madje, edhe bashkëshortja e tij Erika Camaj e kishte përvetësuar shpirtin e mikpritjes, trashëguar nga bashkëjetesa me Martinin.

‘Vetë Erika Camaj, bashkëshortja e tij, ka ato instinktet e bujarisë, mikpritjes, të cilat i ka marrë prej Martinit.’

Ndërkaq, malli dhe vetmia përbënin sfondin emocional të gjithë ekzistencës së Camajt në mërgim. Ai i njihte dhe i përjetonte thellë, si elementë që nuk e lanë kurrë gjatë jetës.

 ‘Por dua të them që ai ishte një malësor, ai ndjente vetminë. Malli dhe vetmija janë dy elementë që e ndoqën gjatë gjithë jetës së tij. Shpesh ka thënë: ‘E njoh vetminë si fytyrën time në pasqyrë.’

Ai ndërtoi gjithçka që frymonte shqiptarisht.

‘Por bota të cilën e la pas, bota e Dukagjinit me ritet, me doket e veta, me natyrën e vet, me mënyrën e jetesës, me psikologjinë, me mentalitetin, me shpirtësinë shqiptare është aty. Unë ua përshkrova shtëpinë e Martinit. Aty çdo gjë frymon shpirtësi shqiptare.’

Camaj mori detyrimin për ta mbartur identitetin e tij kombëtar kudo ku jetoi. Isufaj e përmbyll me një pasazh që është njëherësh vlerësim dhe kujtesë:

‘Në këtë vend vetëm një orë, siç e thashë, nga Mynihu i zëshëm, ai e barti me vete jo vetëm në shpirt botën shqiptare, por mbi shpinë mbarti konseguencën e humbjes së udhës së drejtë. Ai ishte shqiptari që i mori me vete dhe i ndërtoi aty ku u rrënjos të gjitha këto.’

Ky rrëfim i ngrohtë dhe i thellë nga Viola Isufaj rikthen figurën e Martin Camajt në qendër të vëmendjes, por na fton të kuptojmë sa shumë punë e heshtur dhe dinjitoze mund të bëjë një njeri për ta mbajtur gjallë një kulturë, edhe në vetminë e mërgimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco