Lajmi i fundit

LIVE/ Marshimi kilometrik i protestuesve, kërkohet dorëheqjen e Ramës

VIDEO/ Bisedat e studiueses me gruan e Camajt, Isufaj: Interesohej çfarë bëhej me emrin e tij në programet mësimore

21:46, 02/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 

Pedagogia dhe studiuesja Viola Isufaj ndau në ‘Odeon’ përvojën e saj personale në shtëpinë e Martin Camajt në Lengris, duke rikthyer përmes fjalës një univers të tërë shpirtëror dhe kulturor që autori e ndërtoi larg vendlindjes.

‘Camaj mori Dukagjinin me vete dhe, duke qenë se nuk e takoi kurrë, nuk u kthye në vendlindje; të tijët nuk i pa më kurrë derisa mbylli sytë. Ai ngriti Dukagjinin e vet, botën shqiptare, po dhe botën arbëreshe, po dhe botën e shqiptarëve të Kosovës në Alpe të Bavarisë në shtëpinë e tij në Lengris.’

Lengrisi, një vend i qetë e piktoresk rreth 45 minuta nga Mynihu, ishte vendstrehimi i përhershëm i Camajt, ku ai ndërtonte një realitet të ri shqiptar në mërgim. Çdo ditë udhëtonte drejt Mynihut për të dhënë leksione, për të formuar breza të rinj albanologësh, e më pas kthehej në vetminë e gjelbër të maleve bavareze, që i kujtonin Temalin e lindjes.

‘Në këtë gjelbërim, në këtë lëndinë shtrihen pyjet, në të cilat shëtiste Martin Camaj. Shtëpia është sipas stilit arbëreshë, me doreza si gjarpër. Poshtë ka atë që na lë mbresë më shumë odën shqiptare. Çdo gjë është shqiptare aty ka sharki, ka lahutë, ka qilima, ka punime të leshta me dekoracione shqiptare, ka vatrën e tij, sigurisht nuk mungon shqiponja dhe sa e sa detaje të tjera.’

Në mënyrë prekëse, Isufaj ndalet edhe te bashkëshortja e Camajt, zonja Erika Camaj, që edhe pas më shumë se tri dekadash nga ndarja fizike, jeton me kujtimin dhe dashurinë për Martinin.

‘Ajo që më ka bërë më përshtypje është që kur arrijmë në Lengris, në shtëpinë e Camajt aty ku jemi duke menduar se mos jemi në Paris, në Parajsë me këtë gjelbërim kaq të bukur takojmë këtë zonjë, zonjën Erika Camaj, bashkëshorten e Martin Camajt, e cila edhe pas 32 vitesh mungesë të të shoqit, pas kalimit të tij nga jeta, jeton me Martinin dhe për Martinin.’

Një nga vizitat e saj më domethënëse përfshinte një gjest të thjeshtë, por shumë simbolik:

‘Herën e parë që kam shkuar nuk e kam fjalën për këtë vit, këtë vit shkova sërish i dërgova disa lule, mora me vete disa lule në vazo të portokallta, të bardha. ‘Janë shumë të bukura,’ tha, ‘por do t’i çojmë te varri i Martinit.’ Kështu kemi shkuar, kemi bërë vizitë te varrezat e Lengris që janë shumë të qeta dhe i kemi mbjellë aty ato lule.’

Ndërkohë, zonja Erika mbetet e interesuar për kujtimin e Camajt në Shqipëri:

‘Ajo interesohej se çfarë bëhej me Martinin tani në Shqipëri. E ka zënë vërtet vendin e duhur? Çfarë bëhet me emrin e tij në programet mësimore, në programet universitare dhe a bëhen monografi për të, a kanë interes studiuesit për të?’

Një pyetje që mbetet pezull e që na sfidon të gjithë: A ka marrë Martin Camaj vendin që meriton në kujtesën kombëtare, në kulturë, në shkollë, në universitete? Për studiuesen Isufaj, kujtesa e Camajt  s'është vetëm akademike, është personale, është mbi të gjitha përjetim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco