Lajmi i fundit

LIVE/ Marshimi kilometrik i protestuesve, kërkohet dorëheqjen e Ramës

VIDEO/ Martin Camaj i anatemuar, Ministria harron 100- vjetorin e poliedrikut, Isufaj: për fat të keq...

21:44, 02/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një rrëfim në ‘Odeon’, pedagogia dhe studiuesja Viola Isufaj solli një pasqyrë të qartë mbi trajtimin e padrejtë që i është bërë Martin Camajt nga institucionet shqiptare, si para, ashtu edhe pas viteve ’90, Isufaj theksoi:

‘Sistemi këtu, si çdo autor të arratisur nga Shqipëria, e shpalli armik dhe e anatemoi, kështu që gjer në vitet ’90-’91 ai ishte i përjashtuar nga sistemi letrar shqiptar. Emri i tij nuk përmendej, kur përmendej e përmendnin jo për mirë. Akademikët shqiptarë mbajtën një qëndrim të padenjë ndaj figurës së tij.’

Sipas saj, pas vitit 1990 nisi njëfarë përpjekjeje për ta rikthyer Camajn në sistemin letrar: ai u përfshi në disa antologji, në libra shkollorë, si dhe u zhvilluan studime dhe konferenca kushtuar figurës së tij.

‘Dukej se nga gjithë shkrimtarët e lënë jashtë hartës letrare shqiptare, Martin Camaj po e merrte pak a shumë vëmendjen me konferenca dhe simpoziume të ndryshme, dhe dukej sikur autori shqiptar po ia dëmshpërblente mungesën.’

Megjithatë, kjo rivlerësim nuk ka vijuar siç duhet. Në përvjetorin e 100-të të lindjes së tij, mungesa e institucioneve shtetërore është domethënëse:

‘Me kalimin e kohës, siç vihet re edhe sot që është 100-vjetori i këtij shkrimtari të kulluet do të flisja me përzemërsi, me përcaktorët që ka përdorur Ernest Koliqi dhe autorë të tjerë nuk vihen re organizime shtetërore apo përkujtime të figurës së tij, për fat shumë të keq.’

Studiuesja e lidh këtë neglizhencë me një mungesë perspektive nga ana e shtetit shqiptar dhe me mbetjet e një narrative ideologjike të vjetër:

‘Kjo mund të niset me ndryshimin e perspektivave që ka shteti shqiptar, me moskujdesje dhe me një ndërgjegjje jo të thellë për të përkujtuar figura që i dhanë nder vendit tonë dhe kombit tonë. Mund të lidhet gjithsesi dhe me një narrativë të hershme dhe ideologjike, e cila mund të ndikojë dhe sot.’

Dhe përmbyll me një të vërtetë të hidhur:

 ‘Për fat të keq nuk kemi asnjë ngjarje kulturore të organizuar nga Ministria e Kulturës e Shtetit Shqiptar. Megjithatë, organizimet private, le të themi, nuk kanë munguar.’

Zëri i Viola Isufajt në ‘Odeon’ dritësoi figurën dhe veprimtarinë e Martin Camajn, një prej mendjeve të ndritura të letërsisë dhe mendimit shqiptar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco