Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës ‘Chamber Fest Durrës 2025’, kompozitori, pianisti dhe muzikologu Red Radoja solli për herë të parë në Shqipëri operën e tij ‘Ëndrra e Gotfridit’, një vepër ku melosi mesjetar dhe shqiptar ndërthuren në një përjetim të thellë estetik dhe simbolik.
Gjatë një bisede të ngrohtë për ‘Odeon’, Radoja ndau reflektime mbi rëndësinë e traditës në krijimtarinë bashkëkohore:
Red Radoja:
‘Është edhe procesi i shkrimit, sidomos i shkrimit muzikor që është pak më i ngurtë dhe më i kufizuar në muzikë. Sidomos kur do të bësh një muzikë pak a shumë të traditës, pra ti nuk ecën në shtigje të pashkelura, por ti ecën në shtigje të shkelura, ku pak a shumë rrugën e ndërton në mënyrën tënde, por me elementë që kanë qenë aty më përpara. Në opera ka ritme mesjetare, ka ritme që vijnë edhe nga muzika shqiptare, ka një melos që ka të bëjë me meloditë e antifonave gregoriane, ka të bëjë me pak a shumë deri diku me këngët me lahutë, ka një diçka që janë nga polifonia e jugut të Shqipërisë, por është një përzierje stilesh.’
Egla Xhemalaj: Elegante.
Red Radoja:
‘Shpresoj të ketë dalë kështu dhe më bëhet qejfi që ti e ke përçuar në këtë mënyrë. Dhe idea është që të ngelesh te tradita. Te tradita me një T të madhe. Si simbolikisht je mirë aty. Pastaj njeriu në një ndërtim të tillë që është pak a shumë ndërtimi iniciatik, je në një rrugëtim, ku në etapa të ndryshme të një shtytjeje, të një rrugëtimi, pra ti hap disa dyer, dmth kalon në disa pragje, dhe në këtë udhëtim shpeshherë je dhe i hutuar.
Shpeshherë edhe në anën e libretit kur ti mundohesh ta evitosh veten në atë që shkruan.’
Egla Xhemalaj: Është e pashmangshme.
Red Radoja:
‘Është e pashmangshme, sepse del aty. E fundit që mund të them, shpesh si krijues, sidomos nga fillimi i shekullit të XX e deri në ditët tona e fatmirësisht në ditët tona kjo po ndryshon si qasje njerëzit kanë qenë shumë të obsesuar nga inovacioni.
Ka qenë gjithmonë që të krijosh një risi me doemos, dhe them që sot jemi në një periudhë kur kemi një rikthim. Është pak a shumë si ai rikthimi i periudhës së rilindjes evropiane, kur u kthyen tek ai antikiteti greko-romak për ta parë ndryshe. Unë jam shumë i lidhur me këtë idenë e rikthimit, i cili në një farë mënyre të çon në të ardhmen.’
Kjo vepër, një opera dhome në një akt, e kompozuar dhe shkruar nga vetë Radoja, u interpretua më 14 korrik në Katedralen ‘Shën Lucia’ në Durrës një ngjarje që shënoi një kthim dinjitoz të muzikës shqiptare në skenën kamertale.
© SYRI.net