Të largohesh nga jeta pasi ke përshëndetur botën me një koncert të pakrahasueshëm — një akt lamtumire vërtet unik, ashtu siç ishte vetë Ozzy Osbourne në historinë e gjatë të rock-ut. Legjenda e muzikës u nda nga jeta sot (22 korrik) në moshën 76-vjeçare, vetëm dy javë pasi u nderua në një homazh gjigant në vendlindjen e tij, Birmingham, ku thuajse të gjithë emrat e mëdhenj të skenës metal — nga Metallica, Guns N’ Roses, Anthrax e deri tek Slayer dhe Pantera — u bashkuan për të nderuar “kumbarin e heavy metal”.
I sëmurë prej disa vitesh nga Parkinsoni, Ozzy ishte tashmë i dobësuar dhe i lodhur. Në koncertin emocionues në stadiumin Villa Park, shtëpia e klubit të tij të zemrës Aston Villa, ai u shfaq i ulur në një fron, me zërin që i dridhej dhe ventolinin në dorë për të marrë frymë.
Megjithatë, ai këndoi duke prekur zemrat e 60 mijë të pranishmëve dhe miliona të tjerë që e ndoqën online. Ishte shfaqja e dhimbjes dhe forcës, ndoshta me vetëdijen se ishte hera e fundit e tij në skenë.
Një fund simbolik, në qytetin punëtor ku gjithçka kishte nisur — në Birminghamin e tullave të kuqe, në lagjen Aston, vetëm pak metra larg stadiumit ku u mbajt koncerti i fundit. Një kapitull që mbyllet me dinjitet, siç i takon një ikone të pavdekshme të muzikës rock.
Ozzy Osbourne u diagnostikua me sëmundjen e Parkinsonit në vitin 2019.
I njohur për koncertet e tij energjike dhe shpeshherë të diskutueshme, Osbourne bëri histori në botën e rock-ut duke përfshirë edhe momentin famëkeq kur, pa dashje, kafshoi kokën e një lakuriqi gjatë një performance live.
Në fillim të viteve 2000, ai dhe familja e tij u kthyen në yje të televizionit me reality shoë-n “The Osbournes”, i cili shfaqi jetën e tyre të çrregullt dhe plot humor në Los Angeles, duke e bërë Ozzy një figurë ikonike përtej muzikës heavy metal.
© SYRI.net