SYTI TV
Piktori pogradecar Anastas Konstandini ka çelur ekspozitën e tij të radhës titulluar “Nënqyteti”. Artisti Kostandini sjell një Pogradec të harruar – me shtëpitë karakteristike, rrugicat me kalldrëm dhe objekte të rëndësishme kulturore që nuk janë më pjesë e peizazhit urban.
Mbrëmjen e së shtunës, Galeria e Artit në Pogradec hapi dyert për ekspozitën “Nënqyteti”, një udhëtim artistik në Pogradecin e dikurshëm, të rikrijuar përmes vizatimeve të piktorit Anastas Kostandini.
Nëpërmjet 31 punimeve artistike, të realizuara me kujdes të veçantë dhe të mbështetura në burime arkivore, artisti Kostandini sjell një Pogradec të harruar – me shtëpitë karakteristike, rrugicat me kalldrëm dhe objekte të rëndësishme kulturore që nuk janë më pjesë e peizazhit urban.
Organizimin e ekspozitës e ka marrë përsipër Ledia Kostandini, e cila ka sjellë një risi në mënyrën e përçimit të artit, duke përfshirë teknologjinë në përvojën vizuale.
Të pranishëm në hapjen e ekspozitës ishin shumë qytetarë dhe figura të njohura të artit dhe kulturës. Regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj ishte një ndër mysafirët e veçantë, i cili vlerësoi qasjen unike të ekspozitës dhe rëndësinë që ka ajo për ruajtjen e kujtesës historike të qytetit.
Përveç veprave të artit, ekspozita përfshin edhe materiale të tjera, fragmente ndërtimore nga objekte tashmë të zhdukura, video-materiale të rralla dhe një koleksion fotografik i fillim-shekullit XX.
© SYRI.net