Inva Mula në 'Odeon': Shpluhurosim historinë në MIK Festival, serenata korçare duhet të mbetet autentike

21:40, 12/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një intervistë për emisionin “Odeon”, sopranoja e njohur Inva Mula ndau një tjetër dimension të veçantë të edicionit të tetë të MIK Festival, rikthimin në vëmendje të serenatës korçare, si një formë këndimi e rrallë, plot ndjenjë dhe histori. Për herë të parë, festivali sjell një natë të dedikuar krejtësisht kësaj tradite, e kuruar me kujdes për të ruajtur autenticitetin e saj.

“Këto serenata vijnë në mënyrë shumë origjinale pasi janë serenata të padëgjuara. Është quajtur Retro Pasion, po pasioni nuk ka asnjëherë retro ai lind bashkë me njeriun dhe ngelet brenda, ushqehet me kohën. Këtu do kemi një ndërthurje të serenatistëve të vërtetë korçarë. Kemi personalitete, njohës të muzikës, të stilit dhe unë do doja që serenata korçare të ngelet autentike, e bukur,” – u shpreh Mula.

Artistja theksoi se kjo është një risi brenda strukturës së festivalit, një shtresë e re që lidhet ngushtë me identitetin muzikor të qytetit të Korçës. Një nismë që synon jo vetëm ruajtjen e kësaj tradite, por edhe njohjen e saj përtej kufijve kombëtarë.

“Një ditë ndoshta serenata korçare do jetë pjesë e njohjes internacionale, ashtu siç kemi Lahutën, iso-polifoninë. Ne i bëjmë një homazh kësaj mënyre të të kënduarit që gjendet vetëm në Korçë. Është hera e parë që ne e krijuam si tipologji të festivalit, besoj do ta mbajmë një gjë të tillë dhe do jemi përçues të kësaj vlere që duhet të mbetet e pastër, autentike e të përçohet në breza,” – tha ajo.

Për Inva Mulën, kjo natë në MIK Festival është një ftesë për të shpluhurosur historinë dhe për t’i dhënë një frymë të re një tradite që rrezikon të harrohet, duke e kthyer në një urë mes brezave dhe një pasuri që meriton të marrë vëmendje ndërkombëtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco