Biznesmeni Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim nga SPAK si i dyshuar për drejtimin e një grupi të strukturuar kriminal, vijon të përfitojë tendera publikë përmes kompanive të tij. Universiteti i Tiranës ka shpallur fitues bashkimin e shoqërive "Soft & Solution" dhe "Horizon" në një procedurë me vlerë mbi 50 mijë euro. Kompanitë ndodhen nën sekuestro me urdhër të Gjykatës së Posaçme, ndërsa hetimet për dosjen e tenderave të AKSHI-t vijojnë.
Biznesmeni Ermal Beqiri është në kërkim prej disa muajsh, pasi dyshohet si kreu i një grupi të strukturuar kriminal që ka manipuluar tenderat me vlerë miliona euro të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Megjithatë, kompanitë e tij kryesore, “Soft & Solution” dhe “Horizon”, vijojnë të përfitojnë miliona nga Buxheti i Shtetit.
Së fundmi, Universiteti i Tiranës, i drejtuar nga rektori Artan Hoxha, ka shpallur fitues shoqëritë e Beqirit në një tender me vlerë mbi 50 mijë euro për “Mirëmbajtjen e Sistemit Informativ të Institucionit”. Procedura tenderuese është shpallur në maj të këtij viti nga administratori i Universitetit, Skerdi Dafa, ndërkohë që Ermal Beqiri e drejton kompaninë nga arratia.
Në tenderin me garë në dukje jo reale, kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë. Njëri prej tyre është regjistruar sa për numër, pasi nuk ka paraqitur asnjë ofertë ekonomike, duke u skualifikuar menjëherë. Në lojë mbeti vetëm bashkimi i operatorëve në pronësi të Ermal Beqirit, të cilët u shpallën edhe fitues.
Shoqëritë “Soft & Solution” dhe “Horizon” gjenden nën sekuestro prej muajit prill 2026, me urdhër të Gjykatës së Posaçme, në vijim të një hetimi që po zhvillohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Ato menaxhohen nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara, megjithëse pronari përfitues vijon të jetë Ermal Beqiri.
Sipërmarrësi Beqiri, ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, disa vartës të saj dhe biznesmenë të tjerë dyshohen nga Prokuroria e Posaçme se kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal për kanalizimin e tenderave të institucionit në disa duar.
Ndaj Beqirit u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”, e cila vijon të jetë e paekzekutuar nga Policia e Shtetit. Ish-drejtoresha Karçanaj fillimisht u vendos në “arrest shtëpie”, ndërsa më pas u la në detyrim për paraqitje nga Gjykata e Lartë.
© SYRI.net