Lëvizja e mjeteve dhe udhëtarëve në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës është pezulluar për shkak të protestës së doganierëve grekë.
Nga ora 05:00 deri në orën 09:00 të kësaj të hëne, pala greke ka ndërprerë përkohësisht punën, duke mos lejuar kalimin e automjeteve dhe qytetarëve.
Megjithëse disa udhëtarë kanë kryer procedurat në pikën kufitare shqiptare dhe kanë dalë nga territori shqiptar, ata janë detyruar të presin hapjen e doganës greke për të vijuar udhëtimin drejt Greqisë.
Protesta është organizuar nga sindikata e punonjësve të doganave greke, të cilët kërkojnë rritjen e numrit të punonjësve, përmirësimin e kushteve të punës dhe pagesave, si dhe zbatimin e angazhimeve të marra nga qeveria greke për trajtimin e tyre në administratën publike.
Sipas tyre, mungesa e stafit dhe ngarkesa e lartë e punës po krijojnë vështirësi në funksionimin normal të pikave kufitare dhe shërbimeve doganore.
Doganierët grekë kanë paralajmëruar se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh dhe nuk zbatohen nga autoritetet greke, do të vijojnë me forma të tjera proteste edhe në ditët në vijim.
Ndërkohë, në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës pritet rinisja normale e lëvizjes pas përfundimit të orarit të protestës, ndërsa udhëtarët janë këshilluar të marrin parasysh vonesat e krijuara në kufi.
© SYRI.net