Policia e Durrësit ka vënë në pranga mbrëmjen e djeshme një 45-vjeçar me precedent të theksuar në fushën e vjedhjeve.
Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë shtetasi G. Gj., 45 vjeç, pasi mbrëmjen e djeshme vodhi me forcë një shumë parash në një farmaci. Ndërkohë, pas kryerjes së vjedhjes, policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit.
“Finalizohet operacioni i koduar “Reagimi”, për vënien në pranga të një shtetasi me precedent të theksuar në fushën e vjedhjeve.
Mbrëmë, vodhi me forcë, një shumë parash, në një farmaci, arrestohet pak orë pas krimit, 45-vjeçari.
Ai ishte aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për vjedhje.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një shtetaseje, se mbrëmë, në farmacinë ku punonte, në lagjen nr. 12, një shtetas kishte vjedhur me forcë, një shumë parash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës finalizuan operacionin e koduar “Reagimi”, gjatë të cilit u kap pak orë pas kryerjes së krimit, dhe u vu në pranga, autori i dyshuar, shtetasi G. Gj., 45 vjeç, banues në Durrës.
45-vjeçari, me precedent kriminal të theksuar në fushën e vjedhjeve, rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata, për të njëjtin krim.
Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer shtetasi G. Gj”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”.
© SYRI.net