Nga Elton Qyno - Syri.net/
Gjykata e Apelit Tiranë, ka vendosur të prishë vendimin e gjykatës së shkallës së parë Tiranë për të pandehurit, Ardian Ahmeti, Sahit Ahmeti dhe ta kthejë çështjen penale kundër tyre për rigjykim në gjykatën e Tiranës.
Dy të pandehurit akuzohen për “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë në dëm të vëllezërve Ylli dhe Fatos Sela si dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.
Gjyqtarët e Apelit, kanë konstatuar mangësi proceduriale dhe mangësi hetimore në hetimin e kësaj dosje, dhe nisur nga kjo situatë është urdhëruar rigjykimi i dosjes penale në shkallë të parë me një tjetër trup tjetër gjykimi.
Kujtojmë, se kjo dosje është regjistruar në prokurorinë e Tiranës mbi bazën e materialit referuar të përcjellë nga policia e kryeqytetit, e cila ka kryer veprime hetimorë, mbi një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në 25 Korrik 2024 në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit.
Ardian Ahmeti, Sahit Ahmeti, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë hapur zjarr mbi një dyqan “Tabacino”, ku prezentë ishin dhe fëmijë.
I pandehuri, Sahit Ahmeti, me detyrë punonjës policie rrugore, pranë Komisariatit të Policisë Krujë, Ardian Ahmeti, dhe disa personave të tjerë lidhje të tyre të ngushta familjare kanë debatuar dhe janë konfliktuar fizikisht me vëllezërit Fatos Sela dhe Ylli Sela, për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me pronësinë e një sipërfaqe toke.
Konflikti midis tyre, ka vijuar në përdorimin e armëve të zjarrit ku si pasojë e të shtënave kanë mbetur të plagosur nga njëra palë punonjësi i policisë Sahit Ahmeti, Adrian Ahmeti dhe nga pala tjetër Fatos Sela, të cilët më pas janë transportuar për të marrë ndihmë më të specializuar mjekësore në Spitalin e Traumës, Tiranë.
Lidhur me këtë ngjarje pak muaj më parë në fund të procesit gjyqësor përfaqësuesi i prokurorisë i kërkoi gjykatës deklarimin fajtor dhe dënimin me 15 vjet burgim për të pandehurin Ardian Ahmeti, për akuzën e “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.
Deklarimin fajtor dhe dënimin me 6 vite burgim të punonjësit të policisë rrugore Sahit Ahmeti, për akuzën e “Plagosjes së rëndë me dashje” kryer në bashkëpunim.
Ndërsa për të pandehurin tjetër Ylli Sela, prokuroria kërkoi pushimin e akuzës për “Vrasje me dashje” të mbetur në tentativë.
Pas dëgjimit të konkluzioneve të mbrojtësve dhe pretencës së prokurorisë, gjykata e Tiranës vendosi dënimin me 9 vite burgim të Ardian Ahmetit. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai u dënua përfundimisht me 6 vite burgim.
Ndërsa punonjësi i policisë rrugore Sahit Ahmeti, u dënua me 5 vjet burgim. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar gjykata e dënoi përfundimisht me 3 vjet e 4 muaj burgim.
Tashmë këto dënime janë rrëzuar dhe dy të pandehurit do rigjykohen.
© SYRI.net