Detajet/ Operacioni ‘Ura’ goditje ndaj krimit të organizuar shqiptar, si u arrestua i shumëkërkuari në Durrës

11:03, 03/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

Autoritetet e Drejtorisë Investigative Antimafia (DIA) dhe Drejtorisë Distrektuale Antimafia të Barit bëjnë me dije rezultatet e Operacionit “URA”, një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër krimit të organizuar transnacional, i zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare dhe partnerët evropianë të drejtësisë.

Në kuadër të këtij operacioni, më 2 korrik 2026, në lagjen Shkozet të Durrësit, është arrestuar një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej 21 majit 2025, data kur ishte ekzekutuar faza e parë e operacionit.

Operacioni është realizuar nga strukturat e Qendrës Operative DIA të Barit, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) të SPAK-ut dhe autoritetet shqiptare të drejtësisë, në kuadër të një Njësie të Përbashkët Hetimore të ngritur mes Drejtorisë Distrektuale Antimafia të Barit dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë.

Sipas Antimafias italiane, Operacioni “URA” përfaqëson një hetim kompleks ndërkombëtar, të mbështetur nga Eurojust (Hagë) dhe Interpol, i cili në fazën e tij fillestare më 21 maj 2025 çoi në ekzekutimin e dy urdhrave të masave të sigurimit personal të lëshuara nga autoritetet gjyqësore të Barit dhe Gjykata e Posaçme në Tiranë.

Në atë fazë u godit një organizatë e dyshuar kriminale me shtrirje transnacionale, e përbërë nga 52 persona të dyshuar, të akuzuar për pjesëmarrje në një strukturë kriminale të dedikuar për trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe vepra të tjera penale të rënda.

Po në atë operacion u ekzekutuan edhe sekuestrime të shumta pasurore në Itali dhe Shqipëri, që përfshinin pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, me një vlerë prej disa milionë eurosh.

Pas arratisjes së disa prej të dyshuarve, hetimet u zgjeruan dhe u intensifikuan në territorin italian dhe shqiptar, duke përfshirë verifikime operative në zona të ndryshme të Shqipërisë dhe Italisë. Këto hetime çuan në lokalizimin e të shumëkërkuarit në zonën e Shkozetit në Durrës.

Sipas autoriteteve hetimore, i arrestuari konsiderohet – në kuadër të hetimeve paraprake dhe pa paragjykuar parimin e prezumimit të pafajësisë – si një nga figurat kryesore të një rrjeti kriminal që operonte mes Puglias (Itali), Shqipërisë dhe Holandës, i dyshuar si pjesë e një strukture të organizuar me lidhje të forta ndërkombëtare dhe mbështetje logjistike lokale.

Gjatë ndërhyrjes, është ekzekutuar “Red Notice” e Interpolit, e lëshuar përmes Kanalit Qendror për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor. Në momentin e arrestimit, personi është gjetur në posedim të:

një pistolete automatike me fishek në fole,

dy karikatorëve të mbushur,

një shume parash në lekë shqiptare,

si dhe dokumentesh të falsifikuara, përfshirë kartë identiteti dhe leje drejtimi të dyshuara italiane.

Sipas Antimafies italiane, këto elemente tregojnë një nivel të lartë organizimi, lëvizshmërie dhe lidhjesh të mundshme me rrjete mbështetëse ndërkombëtare.

Pas përfundimit të operacionit, i ndaluari është shoqëruar në një institucion të vuajtjes së masës së sigurisë në Durrës, në pritje të procedurave të ekstradimit që tashmë janë aktivizuar përmes kanaleve zyrtare diplomatike dhe gjyqësore.

Autoritetet theksojnë se hetimet vijojnë dhe se çështja ndodhet ende në fazën e hetimeve paraprake pranë Gjykatës kompetente në Bari. Në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë, çdo përgjegjësi penale do të vërtetohet vetëm pas përfundimit të procesit gjyqësor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco