Fermerët e Lumasit, bashkia Cërrik po shkojnë drejt falimentimit. Ata kanë ngritur shqetësimin se prodhimi i tyre i specit djegës nuk ka treg, dicka që po i shkakton atyre humbje të mëdha. Ata shprehen se cmimi aktual në treg i këtij prodhimi është tepër i ulët, ndërkohë që bëjnë apel që shteti tu vijë në ndihmë, pasi në të kundërt janë drejt falimentimit total.
SYRI TV
Fermerët në zonën e Lumasit, bashkia Cërrik, janë drejt falimentimit. Ata shprehen se produkti që kanë aktualisht në sera është spec djegës, i cili ka mbetur pa u vjelë pasi nuk kërkohet në treg. Fermerët thonë se çmimi me të cilin është shitur deri më tani nuk ia vlen për të mbuluar të gjitha shpenzimet që kanë pasur që prej fillimit të janarit.
Sipas fermerëve, deri më tani, minimumi i shpenzimeve të tyre ka shkuar rreth 2 milionë e 500 mijë lekë për dynym, një kosto tejet e lartë, që nuk arrin dot të mbulohet me çmimet me të cilat janë shitur specat. Sipas tyre, minimumi i çmimit duhet të ishte jo më pak se 70 lekë për të mos dalë me humbje.
Nga ana e shtetit, duket se fermerët janë lënë në harresë. Ndihma e vetme që kërkojnë është vetëm krijimi i një tregu të sigurt, ku të kenë mundësi të tregtojnë të gjithë prodhimin e tyre. Në këtë situatë janë në prag falimenti dhe i gjithë prodhimi i deritanishëm rrezikon të hidhet.
© SYRI.net