Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar paraditen e kësaj të enjteje në aksin rural Pirrë–Kamçisht, në njësinë administrative Kolonjë, Bashkia Lushnje.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip fuoristradë ka përplasur nga pas një motoçikletë që drejtohej nga 76-vjeçari Minella Prençe, banues në fshatin Pirrë.
Menjëherë pas aksidentit në vendngjarje mbërriti ambulanca, e cila transportoi me urgjencë të moshuarin në Spitalin e Lushnjës. Burime bëjnë me dije se ai ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të plagëve të marra.
Nga të dhënat paraprake mësohet se 76-vjeçari nuk kishte vendosur kaskë mbrojtëse, fakt që dyshohet se ka ndikuar në rëndimin e dëmtimeve.
Policia Rrugore ka shoqëruar drejtuesin e fuoristradës, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se drejtuesi i fuoristradës ka tentuar të frenojë, por nuk ka arritur të shmangë përplasjen me motoçikletën.
© SYRI.net