Në Prato të Italisë është zbuluar një bankë e paligjshme, e aftë të qarkullonte mes 80 dhe 100 milionë euro në vit përmes pagesave fantazmë të lidhura me trafikun e drogës dhe tregtinë e paligjshme të mallrave mes Italisë dhe vendeve të tjera.
Sipas autoriteteve italiane, nga ky sistem përfitonin tre organizata kriminale: njëra për pastrimin e parave të drogës, një tjetër për trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe e treta për emigracionin e paligjshëm të shtetasve kinezë.
Banka përdorte sistemin islamik të pagesave "hawala", i njohur në Kinë si "chop-shop", i cili nuk lë gjurmë të transaksioneve. Ky mekanizëm përdorej nga grupe kriminale italiane, kineze dhe shqiptare. Gjykatësi i hetimeve paraprake ka urdhëruar sekuestrimin e 60 milionë eurove dhe ka vendosur 41 masa sigurie, prej të cilave 17 arrestime me burg dhe 16 në arrest shtëpie.
Sipas Drejtorisë Antimafia të Firences dhe Prokurorisë së Pratos, hetimet zbuluan një organizatë me nivel të lartë profesionalizmi dhe rrezikshmërie, e aftë të ofronte shërbime financiare si për pagesat e trafikut të drogës, ashtu edhe për transaksionet e padeklaruara tregtare mes kompanive kineze.
Autoritetet vlerësojnë se organizata kishte një kapacitet të paligjshëm prej 80-100 milionë eurosh në vit dhe kishte vepruar për të paktën tre vjet. Ajo mbështetej në një rrjet të gjerë korrierësh që transportonin para të pista mes Italisë dhe vendeve të tjera si Spanja, Franca dhe Portugalia, duke mundësuar realizimin e pagesave.
Për të shmangur sekuestrimin e parave të drogës nga autoritetet policore, transaksionet realizoheshin edhe duke përdorur flukset monetare të padeklaruara të kompanive kineze të industrisë tekstile "fast fashion". Kjo lidhej me marrëdhëniet tregtare mes distriktit tekstil të Pratos, më i madhi në Evropë, dhe qendrave prodhuese në Gadishullin Iberik, si Madridi, Malaga, Valencia dhe Sevilja.
Prokuroria zbuloi gjithashtu lidhje të ngushta mes drejtuesve të organizatës, që vepronin si ndërmjetës financiarë, dhe grupeve kriminale shqiptare të përfshira në pastrimin e të ardhurave nga trafiku i drogës.
Gjykata ka njohur edhe rënduesen e favorizimit mafioz, pasi nga shërbimet e kësaj "banke fantazmë" dyshohet se kanë përfituar klani Briganti i Leçes, pjesë e Sacra Corona Unita, grupi mafioz Fiare-Razionale-Gasparro nga San Gregorio d'Ippona në Vibo Valentia, si dhe klani kamorrist Aquino-Annunziata.
Ndërkohë, grupi i akuzuar për emigracion të paligjshëm nga Kina përbëhej nga shtetas kinezë që organizonin hyrjen ilegale të bashkatdhetarëve të tyre përmes Serbisë, vend që nuk është pjesë e zonës Schengen dhe nuk kërkon vizë hyrëse për shtetasit kinezë.
Emigrantët strehoheshin fillimisht në hotele kineze në Beograd dhe më pas transportoheshin drejt Italisë përmes Hungarisë dhe Sllovenisë, me destinacione finale Praton, Torinon dhe Sommacampagna pranë Veronës. Për çdo emigrant të trafikuar, organizatorët përfitonin rreth 9.500 euro. /ANSA/
© SYRI.net