U vra me breshëri automatiku, atentatorët zunë në pritë Valter Lleshin, gjenden 18 gëzhoja

12:38, 15/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një 45-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri mëngjesin e sotëm në afërsi të fshatit Shkorret, në Mirditë. Viktima është identifikuar si Valter Lleshi.

Sipas të dhënave paraprake, Lleshi po lëvizte me mjetin e kompanisë ku punonte, kur në dalje të një kthese i është bërë pritë dhe është qëlluar me breshëri automatiku. Si pasojë e plagëve të marra, ai ka humbur jetën në vendngjarje.

Autorët janë larguar menjëherë pas krimit dhe dyshohet se kanë kaluar lumin Mat për t’u zhvendosur në anën tjetër. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 18 gëzhoja arme automatike, ndërsa janë konstatuar edhe gjurmë këmbësh pranë zonës së krimit dhe në kodrën që zbret drejt lumit.

Policia ka zhvilluar kontrolle intensive në zonë, duke përdorur dronë dhe qen të trajnuar për kërkim, por pa arritur të gjurmojë autorët.

Hetimet paraprake tregojnë se ngjarja mund të ketë qenë e paralajmëruar. Në muajin mars të këtij viti, fadromës me të cilën punonte Lleshi i ishte vendosur një sasi lënde shpërthyese, e cila nuk kishte shpërthyer. Në atë kohë, ai kishte deklaruar se nuk kishte konflikte apo dyshime për ndonjë motiv.

Burime bëjnë me dije se 45-vjeçari nuk kishte precedentë penalë, ndërsa po merren në pyetje familjarë të tij për të hedhur dritë mbi rrethanat e ngjarjes.

Gjithashtu, Lleshi ishte marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e taksistit 51-vjeçar Anton Keli, ndodhur në dhjetor 2020, por ishte liruar.

Policia po vijon hetimet, duke shqyrtuar edhe ngjarje të tjera kriminale të ndodhura ndër vite në Mirditë, për të parë nëse ekziston ndonjë lidhje me këtë vrasje.

FOTO E VIKTIMËS:

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco