Banorët e Baks-Rrjollit në Velipojë kanë dalë sërish sot në protestë, pas rrethimit të tokave të tyre me tela me gjemba vetëm pak ditë më parë, duke kundërshtuar ndërtimin e një resorti turistik në zonë, për të cilin pretendojnë se po ngrihet mbi pronat e tyre.
Prej rreth një viti, banorët e zonës kundërshtojnë projektin, duke ngritur akuza se një ish-zyrtar i Kadastrës së Shkodrës ka tjetërsuar certifikatat e pronësisë, duke përvetësuar sipërfaqen e tokës dhe më pas duke ia shitur investitorit që po zhvillon ndërtimin përballë bregdetit të Velipojës. Situata është përshkallëzuar që prej janarit të këtij viti, kur punimet në terren nisën me mjete të rënda, çka ka sjellë protesta të përditshme dhe përplasje fizike me punonjës të kompanisë ndërtuese, si dhe me roje private të vendosura nga investitori.
Në një nga momentet e tensionit, banorët kanë tentuar të shembin gardhin rrethues dhe të hyjnë brenda kantierit të ndërtimit, ku janë ndaluar nga forcat e rendit, duke u shënuar edhe përplasje mes tyre, pasi këto të fundit nuk i kanë lejuar të depërtojnë në zonën e kantierit. Përplasjet janë shoqëruar me shoqërime dhe procedime të shumta ndaj banorëve, ndërsa punimet në zonë kanë vijuar, pavarësisht se çështja po ndiqet nga Prokuroria e Shkodrës.
Ndërkohë, banorët thonë se prej dy javësh i janë bashkuar edhe protestave masive në Tiranë, duke e cilësuar situatën si një “vjedhje të pronës private” dhe duke kërkuar ndërhyrje urgjente për zgjidhjen e konfliktit.
© SYRI.net