Sistemi i drejtësisë në Shqipëri vazhdon të ngrejë pikëpyetje të forta, duke goditur me dorë të hekurt më të dobëtit e shoqërisë, ndërsa lë të lirë kokat e vërteta të krimit.
E ftuar mëngjesin e sotëm në 'Kafe shqeto', avokatja Rudina Gjoni tha se se ligji funksionon pikërisht si një rrjetë merimange: kap të vegjlit dhe lë të kalojnë "peshkaqenët".
Sipas saj, periudha e gjatë dhe masive e kultivimit të kanabisit ka lënë pas një bilanc të hidhur dënimesh vetëm për shtresat e ulëta. Ndërkohë që trafikantët dhe organizatorët e rrjeteve as nuk u prekën nga drejtësia, sot ata kanë evoluar.
Shumë prej tyre, tha avokatja në studion e 'Kafe Shqeto' e kanë lënë pas kanabisin për të kaluar te tregtia e kokainës, duke u shndërruar në biznesmenë seriozë dhe të paprekshëm.
Faturën e rëndë të burgut e kanë paguar fermerët, bujqit dhe argatët e thjeshtë, të cilët u përdorën thjesht për mbledhjen apo paketimin e lëndës narkotike dhe morën dënime jashtëzakonisht të rënda.
Nga ana tjetër, kriminaliteti ka gjetur terren të gjerë edhe te moshat e reja, i nxitur fuqishëm nga kultura e "lekut të lehtë". Megjithëse statistikat specifike të dënimeve dhe proceseve penale mungojnë ose nuk janë të studiuara mirë, vlerësohet se mosha 20 deri në 40 vjeç është ajo që mbush gjykatat.
Të rinjtë po implikohen me dëshirë apo padashje në krime nga më të ndryshmet, përfshirë mashtrimet kibernetike. Viktimat e preferuara të këtyre skemave të reja mashtrimi online dhe telefonike mbeten të moshuarit.
Deklarata e plotë:
“Pre bien zakonisht mosha e tretë le të themi. Sepse ata janë më pak të azhornuar me këtë pjesën e mashtrimit, krimit kibernetik, mendojnë akoma vitet para '90-ës.
Statistika konkrete për llojin e krimit, për moshën që përfshihet në këtë lloj krimi nuk mund të kemi dhe nuk na janë vënë në dispozicion, sepse si kudo edhe në këtë hallkë nuk besoj që janë bërë studime të mirëfillta për të nxjerrë një statistikë të pastër që sa përqind e të rinjve janë pjesë e këtyre veprave penale, sa mundësi kanë pasur që të evidentohen, sa mundësi kanë pasur të dënohen, të vazhdojë ndjekja penale për to, sa u është pushuar hetimi, sa kanë shkuar në gjykim.
Domethënë, janë disa statistika që sigurisht mbeten ende të pavlerësuara deri në fund. Por sigurisht, në një kështu vlerësim të përgjithshëm mosha mesatare që sigurisht shkon pranë një procesi penal është kjo 20-40 vjeçar.
Se një 60-70 vjeçar nuk besoj, është shumë rrallë vetëm për motive të dobëta ose për gjëra shumë banale. Kurse të rinjtë janë me dashje apo pa dashje të implikuar shumica në lloje të ndryshme krimesh. Sepse thamë, kemi këtë krimin kibernetik, po kemi edhe krime të tjera që janë po aq të dënueshme dhe po aq të prekshme nga rinia sot e cila do ta fitojë pak lekun në mënyrë të lehtë.
Tani drejtësia për mua ende vazhdon të jetë si ajo rrjeta e merimangës. Lë të kalojnë peshkaqenët, po merimanga i mban aty ato papeshë, ato pavlerë. Dhe gjithmonë hallka e fundit janë gjithmonë rastet që po thua këta argatët. Dhe ka pasur dënime goxha të larta dhe për këta.
Le të themi pavarësisht të gjithave kush ka qenë koka, organizatori, pjesa e tërë organizatës dhe të gjithë, edhe ai bujku i thjeshtë apo fermeri që është marrë me këtë lloj hallke të fundit e pjesës së mbledhjes apo të paketimit apo kështu, dhe ata kanë pasur dënime goxha të rënda.
© SYRI.net