Policia e Lushnjës ka mundur të identifikojë dhe shpallë në kërkim, autorin e dyshuar të zjarrit në tregun e fruta-perimeve në Lushnjë, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë.
Edhe pse zjarru u dyshua fillimisht si ngjarje aksidentale, pas hetimeve të thelluara ka rezultuar se shtetasi me inicialet K. Ç., banues në Durrës, shfaqet pranë tregut së bashku me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, të cilët dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndezur zjarrin dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.
Policia vijon punën për kapjen e shtetasit K. Ç., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasit tjetër që shfaqet në pamjet filmike, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi:
Lushnjë/Veprime të thelluara hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 19.05.2026, në tregun e fruta-perimeve, në lagjen "Xhevdet Nepravishta", ku fillimisht u dyshua si ngjarje aksidentale.
Si rezultat i veprimeve hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim një shtetas i dyshuar si autor i zjarrvënies, ndërsa vijon puna për identifikimin e një shtetasi tjetër të përfshirë në ngjarje.
Më datë 19.05.2026, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë është marrë njoftim se në tregun e fruta-perimeve të qytetit kishte rënë zjarr.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat, brenda pak orësh, bënë të mundur shuarjen e flakëve.
Si pasojë e zjarrit janë dëmtuar disa tezga dhe produkte në pronësi të disa tregtarëve.
Fillimisht u dyshua se zjarri ishte shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, por në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit K. Ç., banues në Durrës, i dyshuar si njëri prej autorëve të zjarrvënies.
Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se shtetasi K. Ç. shfaqet pranë tregut së bashku me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, të cilët dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndezur zjarrin dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.
Policia vijon punën për kapjen e shtetasit K. Ç., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasit tjetër që shfaqet në pamjet filmike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net