SYRI TV/ Tritol banesës në Lezhë - Shikoni dëmtimet nga shpërthimi pas mesnatës – Familja jeton prej 20 vitesh në Itali...

12:33, 21/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur Lezhën gjatë natës.

Syri tv ka siguruar pamjet e vendit të ngjarjes në banesën të cilës i është vënë lëndë plasëse.

Lënda shpërthyese ishte vendosur në hyrjen e një banese në Rrilë të Lezhës dhe ka shkaktuar dëme të shumta materiale. Objekt i sulmit ka qenë shtëpia e T. Ç., ndërsa shpërthimi është regjistruar rreth orës 02:30 pas mesnate.

Megjithëse zhurma është dëgjuar nga banorët e zonës, askush nuk ka dyshuar se bëhej fjalë për eksploziv të vendosur pranë banesës. Policia është njoftuar vetëm katër orë më vonë nga kompania private që kishte në ruajtje objektin.

Në momentin e shpërthimit në banesë nuk ndodhej asnjë person. Familja, banesës së të cilës ju vendos lendë shpërthyese, jeton prej më shumë se dy dekadash në Itali, ndërsa shtëpia ishte ndërtuar së fundmi. Shpërthimi ka dëmtuar pjesën hyrëse dhe ambiente të brendshme të banesës. Zona ku ndodhet objekti nuk monitorohet nga kamera sigurie, çka e vështirëson hetimin.

Sipas burimeve, dyshohet se autorët janë afruar përmes rrugëve dytësore, pasi nga verifikimet e deritanishme në kamerat e aksit kryesor hyrës nuk janë konstatuar lëvizje të dyshimta në orarin e shpërthimit.

Grupi hetimor po administron gjithashtu pamjet filmike të disa bizneseve pranë superstradës, për të identifikuar çdo lëvizje që mund të lidhet me ngjarjen.

Deri tani, nga hetimet paraprake nuk rezulton që familja, shtëpisë së të cilëve ju vendos lënda plasëse, të ketë pasur konflikte apo precedentë problematikë. Ndërkohë, motivet e këtij atentati me lëndë shpërthyese mbeten ende të paqarta.

Njoftimi i policisë:

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 06:40, në fshatin Rrilë, Lezhë, në portën e jashtme të banesës në pronësi të shtetasit T. Ç., me banim të përkohshëm në Itali, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. (Prej më shumë se  20 vitesh nuk banon njeri në këtë banesë).

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.

Nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco