Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është nxjerrë nga kafazi i xhamit të blinduar dhe është ulur krah avokatit të tij, në seancën e sotme për dosjen e sterilizimit.
Më 28 prill GJKKO pranoi kërkesën e Beqajt që të gjykohej jashtë kafazit, një vendim i cili nga kjo gjykatë vijon të refuzohet për presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Meta në procesin gjyqësor të këtij të fundit.
Në seancën e kësaj të enjteje ai është parë të jetë ulur në krah të avokatit të tij.
Një kërkesë e tillë i është mohuar më parë ish-presidentit Ilir Meta duke lejuar që të vijojë kjo masë denigruese.
Fillimisht Ilir Beqaj u mor i pandehur për shpërdorim detyre, por me sugjerim të gjyqtarit të seancave paraprake SPAK ndryshoi akuzën në vjedhje duke shpërdoruar detyrën si grup i strukturuar kriminal. Kjo akuzë ndërkohë ra në dënimin përfundimtar për të bashkëpandehurit e tjerë Klodian Rrjepaj e Ilir Rrapaj, që u gjykuan me procedurë të shkurtuar.
Beqaj ndodhet nën masën e sigurisë 'arrest me burg' për një proces tjetër gjyqësor ndaj tij për dosjen e SASPAC.
© SYRI.net