Rexhep Ademi qytetari i cili në dhjetor 2025 u dhunua në mënyrë barbare nga 2 persona brenda pronës së tij, në Golem të Kavajës ka dhënë një intervistë ekskluzive sot për emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv.
Qytetari shqiptar që proteston i vetëm prej ditësh para konsullatës shqiptare në Milano, ka lëshuar një thirrje të fortë për drejtësi, duke denoncuar shndërrimin e luftës së tij personale në një betejë kundër një sistemi të tërë. Ademi shprehet i zhgënjyer nga heshtja e elitës, artistëve dhe shoqatave të grave në Shqipëri.
Në protestën e tij, Ademi shoqërohet nga prindërit, të cilët mbajnë në duar pankarta me mesazhe. “Banditët goditën djalin tim, nesër do të jetë djali juaj”, shkruhet në pankartën e nënës së tij, ndërsa vetë Rexhepi mban mesazhin: “Nënën time e goditën bandat me uniformë, nesër është radha juaj”.
Përmes këtyre thirrjeve, ai thekson se çështja e tij nuk është më personale, por një problem që mund të prekë çdo familje shqiptare.
Duke folur për situatën, Ademi ndan indinjatën e tij për mungesën e mbështetjes. “Ku është elita e këtij populli? Ku janë artistat, ato shoqatat e grave? Do të kishin fituar më shumë pikë po të kishin puthur duart e nënës time, sesa duke i shkuar hajdutëve në ballë”, deklaroi ai, duke kritikuar indiferencën e figurave publike.
Ademi paralajmëron se nëse institucionet shqiptare nuk reagojnë, ai do ta çojë protestën e tij në nivele ndërkombëtare. “Sot dhe nesër jam këtu. Pastaj, nëse nuk reagon askush, do të shkoj në Bruksel dhe në Gjenevë, te të drejtat e njeriut”, theksoi ai, duke rikujtuar se më herët ka zhvilluar edhe një grevë urie 11-ditore para SPAK-ut, gjithmonë me të vetmin kërkesë: drejtësi.
Deklarata e plotë:
Çudia më e madhe,tre ditë zgjat. Tre ditë gjithë televizionet donin nga një intervistë. Ditën e katërt nuk më ka rënë më telefoni, përveç një vajze që mori të pyeste për nënën.
Po ku është elita e këtij populli? Ku janë ato artistat, ato shoqatat e grave që shkojnë e puthin hajdutët në ballë? Po të kishte shkuar një nga ato artistët, të kishte puthur duart e nënës time që i bëjnë kriminelët e shtetit këto, do të kishit fituar më shumë pikë dhe me ndershmëri.
Nuk e di çfarë bëhet aty brenda. Këta bashkëkombasit shohin me sy ulët, ulin kokën. Çfarë do bëjmë? S’kemi çfarë të bëjmë, thonë.
Nëna ime ka në dorë: “Banditët goditën djalin tim, nesër do të jetë djali juaj”. Nënën time e goditën bandat me uniformë, nesër është radha juaj. “Bandat me uniformat e Policisë së Shtetit goditën familjen tonë, nesër është radha juaj”.
Unë ta kam thënë që ditën e parë kur ka ndodhur herën e parë, kjo nuk është çështje personale e familjes Ademi.
Tani kjo s’po bëhet çështje personale. Kur duan këta, siç duket atje në Sarandë ka dalë ndonjë bandë më e fortë që vepron këto. Për çështjen time nuk foli njeri. Ndoshta nuk e di akoma drejtori i policisë se çfarë ka ndodhur.
Unë kam dalë vetëm. Kur ndodhën këto muhabete në fillim, gjithë këshillat ishin: “Lidhu me një bandë që të marrësh çfarë të takon, se është tokë e madhe”.
Edhe unë zgjodha të distancohem nga të gjithë shokët, nga të gjithë miqtë, dhe të jem vetëm. Thashë: si ta fus unë bandën në familjen time, në gjakun tim? Ana tjetër e përdori këtë punë.
Mjafton t’ia bëj pyetjen vetes: sa njerëz mund të ketë në burg kështu, me këto akuza? Sa njerëz mund të ketë në burg me këto akuza? Këtë pyetje duhet t’ia bëjë çdo shqiptar vetes.
Po u vrasin fëmijët. Nuk guxon robi të dalë me pi kafe, se kërcet pistoleta, nuk shkon më në shtëpi, në familje. Kur do ngrihet më ky popull? Unë nuk dua asgjë tjetër, vetëm drejtësi kam kërkuar.
Edhe grevën aty te SPAK-u, 11 ditë, prandaj e bëra, për drejtësi. Për drejtësi. Unë sot dhe nesër jam këtu, pastaj po s’reagoi prapë asnjë institucion, Brukseli edhe Gjeneva, te të drejtat e njeriut. Këto dy ditë jam këtu. Ju falënderoj.
© SYRI.net