Korçë/ Gjoba dhe tensione në tregun maqedonas, tregtarët kundër aksionit të bashkisë

Korçë/ Gjoba dhe tensione në tregun maqedonas, tregtarët kundër aksionit të bashkisë

11:32, 19/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Problematikat mes tregtarëve në tregun maqedonas në qytetain e Korçes vijojnë të shkaktojnë tension dhe pakënaqësi. Ashtu siç ishte paralajmëruar disa ditë më parë ku këta të fundit protestuan, më 19 maj policia bashkiake ka nisur vendosjen e gjobave për të gjithë tregtarët që nuk kishin hequr tendat pranë ambienteve të tyre të punës.

Shumë tregtarë janë shprehur të revoltuar, duke thënë se nuk kanë pasur mundësi ekonomike apo fizike për t’i larguar tendat në kohë. Sipas tyre, gjobat prej 50 mijë lekësh janë të papërballueshme për familjet që sigurojnë jetesën vetëm nga puna në treg.

Ata theksojnë se prej vitesh përballen me kërkesa të vazhdueshme nga bashkia për ndryshime në strukturat e tregut, duke u detyruar herë të heqin llamarinat, herë të vendosin tenda të reja sipas standardeve të përcaktuara.

Tregtarët shprehen se këtë herë u është kërkuar vendosja e tendave të kuqe dhe projekte të realizuara nga arkitektë, gjë që sipas tyre sjell kosto të papërballueshme.

Ata kërkojnë që bashkia të marrë përsipër investimin, nëse kërkon standarde të caktuara për tregun.

Ndërkohë, disa prej tregtarëve pretendojnë se janë gjobitur jo vetëm për tendat, por edhe për ekspozimin e mallrave pranë dyqaneve. Ata e konsiderojnë aksionin të padrejtë dhe thonë se po përballen me presion të vazhdueshëm.

Situata në treg mbetet e tensionuar, ndërsa tregtarët kërkojnë dialog dhe zgjidhje nga institucionet për të shmangur rëndimin e mëtejshëm të kushteve ekonomike të tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco