Me ardhjen e ditëve të ngrohta, Peshkopia do të çelë sezonin turistik duke mirëpritur vizitorë të shumtë që zgjedhin frekuentimin e llixhave, të cilat shërbejnë jo vetëm për kurim, por edhe si një atraksion turistik. Mirëpo siç ndodh jo rrallë, kjo e mirë ka prodhuar edhe të këqijat e veta.
Në Dibër operojnë disa agjenci transporti për udhëtarë, të cilat pavarësisht ligjit që nuk mungon, prej disa kohësh kanë mosmarrëveshje me njëra-tjetrën, dhe gjithçka këtu ka të bëjë me konkurencën e pandershme.
z.Dëfrim Elezi, pronar i agjencisë “Albtrans International” shpk, njëkohësisht edhe shofer në një prej automjeteve që kjo firmë ka në përdorim, prej shumë vitesh disponon licensë për kryerjen e shërbimeve të rregullta ndërqytetase, konkretisht itinerarin Peshkopi-Kukës-Peshkopi, në të cilin me sa duket dikush ka ndërhyrë padrejtësisht.
Bëhet fjalë për agjencinë “Leo Gita Trans” shpk, e cila më 23 qershor 2021 është pajisur me një licensë ndërkombëtare për shërbime udhëtimi me linjë Peshkopi-Prizren, licensë që përfundon më datë 4 qershor 2026.
Nisja e fugonit nga terminali i Peshkopisë është në orën 07:00, dhe z.Dëfrim Elezi pretendon se kjo linjë nuk ka për qëllim destinacionin final Prizrenin, por edhe transportin ndërqytetas gjatë rrugës për në Kosovë, duke hyrë padrejtësisht në linjën për të cilën është licensuar Dëfrimi.
“Ai zotëria ka linjën Peshkopi-Prizren, edhe futet nëpër Kukës. Ai ka hyrë dhe ha bukë në pjesën time. U bënë që 5 vjet që nuk po siguroj të ardhurat e naftës, e jo gjë tjetër” shprehet Dëfrimi.
Agjencia “Leo Gita Trans” shpk, me administrator z.Fehmi Gjiza, disponon një licensë ndërkombëtare, jo ndërqytetase, që do të thotë se nisja e automjetit bëhet në Peshkopi dhe mbërritja në Prizren, por gjatë këtij itinerari, shoferi ka të drejtë të ndalojë në Kala të Dodës, Kukës, Morinë dhe Vërmicë, për të pushuar ose për të marrë pasagjerë të cilët kanë destinacion final Prizrenin, jo fshatra apo qytete të Shqipërisë.
Ndërkohë agjencia “Leo Gita Trans” prej vitesh nuk e respekton këtë rregull duke shkelur me të dyja këmbët ligjin për “Mbrojtjen e Konkurencës”. Sepse rrugës për në Prizren dhe anasjelltas, merr kë t’i dalë përpara.
Pas ankesave të shumta të shoqërisë “Albtrans International” shpk, më datë 13 gusht 2021, Task Forca e transportit rrugor pranë Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, u bëri me dije ankuesve se 3 ditë para përgjigjes zyrtare, më datë 10 gusht 2021, në aksin rrugor Bushtricë-Peshkopi, mjeti me targë AA 110 VP që drejtohet nga shoferi Leonard Elezi dhe operon me licensën e “Leo Gita Trans” u konstatua se qarkullonte me pasagjerë të papajisur me bileta dhe subjekti u ndëshkua me një gjobë administrative.
Kështu ankesat e “Albtrans International” vijuan pranë Ministrisë së Infrastrukturës. Kjo e fundit më datë 16 dhjetor 2021, merr përgjigje nga Task Forca për Përmirësimin e Nivelit të Kontrollit të Mjeteve Motorike e Rimorkiove të tyre, ku i bëhet me dije se ankesat dhe pretendimet e “Albtrans International” janë të drejta, pasi “Leo Gita Trans” nuk respekton kushtet e licensës.
Task Forca gjithashtu bëri me dije se subjekti është konstatuar disa herë me shkelje dhe ndaj tij janë marra masa administrative me gjobë.
Mirëpo pavarësisht këtyre masave të marra nga institucionet, asgjë nuk ndryshoi dhe “Leo Gita Trans” vijoi punën me të njëjtën praktitë të “vjedhjes” së pasagjerëve.
Më datë 31 korrik 2023, Drejtoria e Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Transportit dhe Infrastrukturës, bëri të qartë se agjencia “Leo Gita Trans” nuk duhet të zbresë udhëtarë në Kukës pas nisjes nga Peshkopia, dhe në kthim nuk duhet të marrë qytetarë në këtë qytet, si dhe duhet të respektojë oraret, në të kundërt do të gjobitet, dhe në rast përsëritje do të shkohej deri në pezullim apo revokim të lejes së autorizimit, masa shtrënguese që me gjasë do t’i jepnin fund këtij konflikti mes dy kompanive.
Por jo, sepse sikur të mos kishte ndodhur asgjë, 1 muaj e gjysmë më pas mjeti me targë AA 110 VP, me drejtues Leonard Elezin, kapet sërish nga Task Forca, me të njëjtën shkelje, marrjen e pasagjerëve nga Kukësi për në Peshkopi, duke mos respektuar stacionet e miratuara për të ndaluar. Aktet e Konstatimit i kaluan Komisionit të Shqyrtimit të Masave Administrative, por nuk u bë asgjë pasi edhe sot që flasim ankesat vijojnë të jenë po të njëjta dhe shkeljet gjithashtu.
“Piranjat” dolën në terren dhe udhëtuan me një nga furgonët e kompanisë “Leo Gita Trans” shpk, duke konstatuar vetë këto shkelje të sipërpërmendura.
Në një komunikim me z.Leonard Elezi, ky i fundit tha se është i qartë dhe i vetëdijshëm për shkeljet që kryen, por e bën këtë gjë pasi edhe konkurenti i tij, futet në zonën e Prizrenit dhe i merr atij pasagjerët. Mirëpo këtu jemi jo përballë një të pavërtete më shumë se sa përballë një mungese informacioni nga Leonardi.
“Unë për momentin disponoj licensën turistike, me bllok me të gjitha, me shkresa, me dokumente shumë të rregullta”, sqaron Dëfrimi, i cili disponon vendimin e formosur më datë 27 maj 2016 nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, që pajis me licensë për transport ndërkombëtar udhëtarësh subjektin “Albtrans International”.
Lidhur me ushtrimin e këtij aktiviteti, agjencia “Albtrans International” disponon edhe dokumente të tjera, siç është lista e udhëtarëve, pasaportat e tyre dhe kontratat me hotelet e ndryshme për akomodimin e qytetarëve nga Kosova të cilët frekuentojnë llixhat në zonën e Peshkopisë.
© SYRI.net