SYRI TV/ 'Dosja Saranda', krim, policë të korruptuar dhe ndëshkim

14:08, 16/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Operacioni që dërgoi në pranga katër punonjës policie, përfshirë shefin e komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllarin, nxori në pah edhe njëherë implikimin e policisë jo vetëm në krim urban, por edhe me subjekte të njohura të botës së krimit kundër jetës. I tillë është rasti i Isuf Jaçajt, i vrarë me eksploziv vitin e kaluar, pikërisht për shkak të konflikteve me një grup kriminal për prona. Burimet konfirmuan se drejtuesit policorë në Sarandë morën para për të mos kryer veprime në dëm të ndërtuesve, ose për të kryer procedura kundër ligjit në favor të tyre.

Katër punonjës të Policisë së Shtetit, përfshirë shefin e komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, kanë përfunduar në pranga lidhur me favorizimet apo mosveprimet ndaj ndërtimeve pa leje në jug të vendit, mes të cilave një pronë e cila më herët është përmendur si “mollë sherri”, ku vitin e kaluar u vra edhe përdoruesi i saj, Isuf Jaçaj. Ndaj Gëzim Bashllarit dhe vartësve të tij, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj, rëndojnë dyshime të forta se kanë konsumuar veprat penale të shpërdorimit të detyrës, kryerjes së veprimeve arbitrare dhe mosmarrjes së masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë, të kryera në bashkëpunim.

TABELA: POLICËT E ARRESTUAR

Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef Komisariati
Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve
Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin
Inspektor Robert Çullaj, specialist zone

Veç faktit që kanë favorizuar ndërtuesit, sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policisë, punonjësit e policisë kanë kryer edhe veprime procedurale në kundërshtim me ligjin përmes një skeme të mirëorganizuar ku fitonin para. AMP thotë se këto favorizime nuk ndodhnin ndaj personave të panjohur, por pikërisht ndaj atyre që ishin të lidhur me struktura kriminale që operonin në territorin e Sarandës.

Burime zyrtare konfirmuan se një nga bizneset që ka qenë subjekt i punës së policisë ka qenë një beach bar mjaft i njohur në Sarandë, i cili po i nënshtrohej rikonstruksionit. Prona ku po kryheshin punimet rezulton të ketë qenë në emër të Isuf Jaçajt. 58-vjeçari u ekzekutua me shpërthim tritoli mbrëmjen e 5 tetorit 2025 në lagjen nr. 3 të Sarandës dhe ishte babai i 31-vjeçarit Klaus Jaçaj. Ky i fundit ndodhet në burg për “përkrahje të autorit të krimit”, për ngjarjen e datës 17 korrik të të njëjtit vit, ku 43-vjeçari Ramadan Zoto alias Canaj plagosi me armë zjarri në lagjen nr. 4 të Sarandës, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamën nga Kamza, dhe pikërisht si shkak u tha në atë kohë ishte një pronë në bregdet.

Sa i takon operacionit të fundit, informacionet fillimisht mbërritën në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen nr. 1 të Sarandës, ku në një objekt (i përbërë nga disa struktura, një pjesë e tyre në ujë) kryheshin punime ndërtimi të paligjshme. Para dy ditësh, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë arrestoi në flagrancë tetë shtetas që punonin në këtë objekt, si dhe shpalli në kërkim shtetasen Arjola Dhrami Bajo, që posedonte hapësirën e plazhit, për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet pa leje.

TABELA: PERSONAT E ARRESTUAR

Ylli Daci
Emiljano Sotiri
Kleanth Rakipi
Bilbil Rexho
Enkeleida Rrëza
Oriant Cako
Oltion Bushaj
Erjon Kovaçi
Arjola Dhrami

Për këtë objekt, Policia njoftoi shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat kryen prishjen e ndërtimeve, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, i shtrinë hetimet në një drejtim tjetër, lidhur me veprimet apo mosveprimet e policisë së Sarandës, të cilët nuk kishin kryer detyrën për moslejimin e këtij ndërtimi. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, pezulloi menjëherë nga detyra katër punonjësit e policisë dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur procedurat për përjashtimin e tyre nga radhët e uniformave blu.

Gjithashtu, është pezulluar menjëherë nga detyra edhe Shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, Komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për t’u marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Disa ditë më parë, Prokuroria e Sarandës sekuestroi një kat të dyshuar se është ndërtuar pa leje mbi “Hotel Oasis” në një nga zonat më të frekuentuara të bregdetit. Objekti figuron në emër të shtetasit Alqi Papa, që është vënë nën hetim për ndërtim pa leje. Burime pranë hetimeve konfirmojnë se janë me dhjetra objekte dhe subjekte që po verifikohen nën dyshimet se ka ndodhur e njëjta skemë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco