SYRI TV/ Shkuan për të vrarë Aleksandër Prendin, Prendi iu zuri pritë, zbardhet dosja hetimore

15:38, 15/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Izmir Sakicën, Samuel Troshanin, Franko Lekën dhe Aleksandër Prendin. Ky i fundit iu bë pritë tre të tjerëve pasi mësoi se ishte vënë në shënjestër, ku pati edhe shkëmbim zjarri në gusht të vitit 2024 në Bushat të Shkodrës. Në dosjen hetimore që disponon Syri Televizion zbulohen detaje se si grupi, i njohur për afërsinë me Safet Bajrin, planifikoi gjithçka, por plani dështoi. SPAK gjeti 345 gëzhoja, 3 automjete të blinduara, para të gatshme dhe pamje që tregojnë për një bazë të armatosur, të cilën grupi nuk e ekspozonte as në rrjetet sociale, dhe ngriti akuzën për vrasje në tentativë.

Ngjarja kriminale e 23 gushtit 2024 në Bushat të Shkodrës përfshiu shkëmbim zjarri mes dy grupeve. Syri Televizion ka siguruar dosjen hetimore, ku, përveç Izmir Sakicës, Samuel Troshanit dhe Franko Lekës, nën akuzë është vënë edhe Aleksandër Prendi, i cili iu bë pritë të tjerëve. Sipas hetimeve, gjithçka nisi nga dyshimet për prishjen e pazareve të drogës. Nga shkëmbimi i zjarrit nuk pati të plagosur, ndërsa SPAK nuk arriti të identifikojë të gjithë të përfshirët.

Troshani dhe Sakica ndodhen në burg, pasi u vetëdorëzuan për një ngjarje tjetër për të cilën ishin shpallur në kërkim policor, dhe më pas iu komunikuan akuzat edhe për episodin e Bushatit. Leka dhe Prendi janë ende në kërkim. SPAK i konsideron Izmir Sakicën, Samuel Troshanin dhe Franko Lekën pjesë të grupit kriminal të Safet Bajrit, i cili mbahet në burg për vrasjen e Fatbardh Licit.

Nga analiza e telefonave të Sakicës, SPAK zbuloi video dhe foto që vërtetojnë se grupi kishte armë të kalibrit të madh të varura në mur në një bar në Dobraç, si dhe sasi parash. Hapja e telefonit të shtetasit Arsen Ceni, mik i vëllezërve Prendi, ndihmoi SPAK-un të zbulojë mënyrën e funksionimit të grupit rival. Ata përdornin nofka të ndryshme: Ceni identifikohej si “strategu”, Andrea Prendi si “Q8”, Aleksandër Prendi si “Nusja”, Pjetër Prendi si “Kapedani” dhe babai i tyre si “Noizy”.

Në vendin e ngjarjes u gjetën 34 gëzhoja, tre makina të braktisura të blinduara, përfshirë një Audi A8 të dëmtuar nga plumbat, që drejtohej nga Izmir Sakica, një Audi tjetër të Franko Lekës, e cila u gjet në servis, dhe një BMW që përdorej nga Aleksandër Prendi. SPAK thotë se ishte edhe një Mercedes-Benz S600, i cili u ndalua 10 ditë më vonë nën drejtimin e Safet Bajrit. Ky i fundit u shoqërua, u pyet, por më pas u la i lirë.

Një person me pseudonimin “Cavalli”, i dyshuar si Andrea Prendi, komunikonte me Arsen Cenin dhe tregonte se kishte hapur kamerat e vendosura në banesën në fshatin Rranxë, ku kishte vërejtur lëvizje gjatë natës pas kontrollit të policisë. Ata diskutonin mënyrat për t’u ruajtur nga kundërshtarët dhe për të mbajtur roje me armë dhe fishekë, duke fshehur prova nga ngjarja.

Nga transkriptimi i bisedave evidentohen edhe veprime për fshehjen e provave të përdorura në ngjarje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco