Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq një efektiv policie, të akuzuar për veprën penale të “Përndjekjes” ndaj ish-partneres së tij.
Sipas organit të akuzës, shtetasi A.M., me të cilin kallëzuesja kishte pasur një lidhje 17-vjeçare, dyshohet se pas ndarjes ka ushtruar presion të vazhdueshëm psikologjik përmes komunikimeve telefonike dhe kontakteve fizike, duke i shkaktuar ankth dhe frikë për sigurinë personale. Hetimet kanë dokumentuar disa kallëzime të bëra nga shtetasja L.C. në prokuroritë e Fierit dhe Durrësit, ndërsa Prokuroria deklaron se janë provuar elementët e veprës penale dhe çështja tashmë i kalon gjykimit.
Njoftimi i prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin A.M, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përndjekja” parashikuar nga neni 121/a prg.2 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 295 të vitit 2025 rezultoi e provuar se, në datën 10.02.2025, shtetasja L.C., ka bërë kallëzim ndaj shtetasit A.M, me detyrë punonjës policie, me të cilin ka patur një lidhje prej 17 vitesh dhe është ndarë në vitin 2024. Shtetasi A.M. gjatë kësaj periudhe me anë të veprimeve të përsëritura ka ngacmuar kallëzuesen me anë të komunikimit telefonik por edhe fizik duke i ushtruar presion psikologjik, duke i shkaktuar një gjendje e vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike për sigurinë vetjake.
Për këtë fakt, kallëzuesja ka paraqitur disa kallëzime në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dhe Durrës.
Në përfundim të një hetimi të plotë dhe të gjithashëm, rezultoi e provuar se i pandehuri A.M ka konsumuar elementë të veprës penale “Përndjekja” parashikuar nga neni 121/a prg.2 i K.Penal.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër sigurisë së personit, lirinë morale, qetësinë dhe zhvillimin normal të jetesës së personit.
© SYRI.net