Nesër pritet të jepet masa e sigurisë për mjekun Nikolla Nunka, i cili është denoncuar dy ditë më parë nga një 21-vjeçare për abuzim seksual, në një rast që aktualisht po hetohet nga organet e drejtësisë.
Avokatja e të resë, Refxhei Tola, ka deklaruar se çështja nuk është një rast i izoluar, por sipas saj bëhet fjalë për denoncime të përsëritura që shtrihen në kohë, duke përfshirë edhe raste që datojnë dekada më parë.
Ajo u shpreh se zyra ligjore që përfaqëson viktimën ka marrë denoncime të tjera nga vajza dhe gra të ndryshme, ku rastet më të hershme, sipas saj, datojnë rreth 33 vite më parë, ndërsa një denoncim i fundit është bërë rreth një vit më parë.
“Sot flas në cilësinë e një gruaje dhe të një nëne. Kemi marrë edhe denoncime të tjera për të njëjtat raste abuzimi ndaj vajzave dhe grave të tjera. Është një rast i përsëritur,” është shprehur avokatja Tola, duke ngritur shqetësime mbi mënyrën se si mjeku ka ushtruar profesionin e tij për një periudhë të gjatë.
Ajo ka vënë në dyshim edhe mungesën e masave administrative ndaj mjekut, duke pyetur se si ka mundur të vazhdojë të ushtrojë detyrën për vite me radhë në sistemin spitalor, pavarësisht, sipas saj, indicieve të mëhershme.
Avokatja ka deklaruar gjithashtu se deri tani nuk është vënë në dispozicion dosja hetimore, pavarësisht kërkesave zyrtare të bëra nga mbrojtja ligjore e viktimës.
“Ne jemi një ekip prej tre avokatësh që po asistojmë viktimën dhe po mbledhim provat për t’i depozituar në polici dhe prokurori,” tha ajo, duke shtuar se po kërkohet informacion zyrtar përpara se të vendoset masa e sigurisë.
Tola i ka bërë thirrje edhe grave dhe vajzave të tjera që, sipas saj, mund të jenë ndjerë të abuzuara, të denoncojnë rastet, duke garantuar anonimat të plotë dhe mbështetje ligjore.
Sipas saj, fenomeni është i përsëritur dhe kërkon reagim të fortë nga institucionet e drejtësisë, ndërsa ka theksuar se çdo rast duhet trajtuar me seriozitet të plotë dhe pa vonesa procedurale.
Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa nesër pritet që gjykata të vendosë për masën e sigurisë ndaj mjekut të akuzuar.
© SYRI.net